Policët e Kosovës dhe Shqipërisë certifikohen në ekzaminime digjitale
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, ka njoftuar për përfundimin me sukses të një kursi pesëditor të ekzaminimeve kompjuterike për pajisjet celulare, nga pjesëmarrës të Policisë e Kosovës dhe Policisë së Shtetit të Shqipërisë.
“Urime pjesëmarrësve nga Policia e Shtetit të Shqipërisë dhe Policia e Kosovës për përfundimin me sukses të një kursi pesëditor të ekzaminimeve kompjuterike për pajisjet celulare, duke certifikuar hetuesit në rikuperimin dhe analizën e zhvilluar digjitale”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, kursi ka certifikuar hetuesit në rikuperimin dhe analizën e avancuar digjitale. Programi është mbajtur në partneritet me Zyrën Rajonale të Sigurisë dhe Zyrën e Ndihmës për Antiterrorin, duke mbledhur njëmbëdhjetë ekspertë të ekzaminimeve kompjuterike për zhvillimin e aftësive të nevojshme për hetime në përputhje me ekspertizën ligjore.
Në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe drejtuesi në detyrë i Zyrës së Sigurisë Rajonale, Jonathan Ellis, i cili ka përgëzuar të diplomuarit dhe ka vlerësuar angazhimin e tyre në forcimin e zbatimit të ligjit në fushën e hetimeve digjitale. /Kosova.info/
