Tërmkolli: Rikthimi i LDK-së kalon vetëm përmes zgjedhjeve të reja të brendshme dhe hapjes së partisë

Ish-deputetja dhe veprimtarja e njohur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka bërë thirrje publike për nisjen e një procesi të thellë reformues brenda LDK-së duke theksuar se kjo është shansa e vetme për rikthimin politik dhe moral të partisë.

Sipas Tërmkollit, LDK-ja duhet të hyjë urgjentisht në një proces të ri zgjedhor, nga fillimi dhe në të gjitha nivelet organizative, i cili duhet të drejtohet nga një grup personalitetesh të shquara dhe autoritative të partisë. Ajo vlerëson se vetëm një proces i tillë do të krijonte hapësirë për hapjen reale të LDK-së, fillimisht brenda vetes, për të aktivizuar gjithë potencialin e saj politik dhe njerëzor.

“Nga një konkurrencë e vërtetë do të prodhohej një udhëheqje kredibile, me autoritet dhe integritet moral, politik e kombëtar, e cila do ta kthente LDK-në në vlerat e saj themelore: kombëtare, perëndimore dhe të djathta të tipit konservator”, ka shkruar Tërmkolli.

Ajo ka qenë kritike ndaj udhëheqjes aktuale duke e cilësuar çdo alternativë tjetër si “pazar për interesa individuale, grupore e klanore”, që sipas saj po e gërryejnë LDK-në deri në themele, me rrezik serioz për ta zhbërë atë tërësisht si subjekt politik.

Në prag të Kuvendit të LDK-së, të thirrur për 31 janar, Tërmkolli thekson se përgjegjësia është në dorën e delegatëve, të cilët duhet të vendosin nëse do të marrin një vendim në interes të LDK-së dhe të Kosovës, apo do t’u nënshtrohen, siç shprehet ajo, “apetiteve të udhëheqjes aktuale të 13%-shit”.

Mesazhin e saj ajo e ka shoqëruar me thirrjen simbolike #MakeDardaniaAgain #MDA duke nënvizuar nevojën për një ringritje të thellë politike dhe kombëtare të LDK-së. /Kosova.info/

Go to TOP