Murtezaj: Politika si shërbim moral – rikthimi i guximit për të vërtetën

Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Valon Murtezaj, ka publikuar një reflektim të thellë filozofik dhe politik mbi gjendjen aktuale të politikës duke ngritur shqetësimin se politika po largohet gjithnjë e më shumë nga misioni i saj themelor – shërbimi ndaj qytetarëve si përgjegjësi morale.

Murtezaj pyet nëse duhet të refuzojmë të besojmë se ka përfunduar koha kur politika kuptohej si akt shërbimi dhe jo si mjet për përfitime personale. Sipas tij, angazhimi politik nuk duhet të burojë nga profiterizmi, por nga përgjegjësia, guximi moral dhe refuzimi për ta pranuar padrejtësinë si normalitet.

Duke iu referuar filozofit John Locke, Murtezaj thekson se pushteti ekziston vetëm për sa kohë i shërben të mirës së përbashkët, ndërsa në momentin kur shndërrohet në mjet përfitimi, ai humb legjitimitetin. Ai kritikon politikën e bazuar në marrëveshje të mbyllura, jodemokratike dhe oligarkike duke theksuar se kjo qasje e zbraz vendimmarrjen nga debati dhe transparenca.

Në analizën e tij, Murtezaj sjell edhe perspektiva të Roland Barthes, Victor Hugo, Franz Kafka dhe Fjodor Dostojevskit duke vënë në pah rrezikun e gjuhës politike boshe, administrimit të padrejtësisë pa fytyrë dhe mungesës së përgjegjësisë morale individuale.

Ai veçon rolin e intelektualit duke theksuar se heshtja për hir të privilegjit nuk është neutralitet, por bashkëpunim me padrejtësinë. “Heshtja, në kohë padrejtësie, është gjithmonë pozicion – dhe gjithmonë në anën e më të fortit”, shprehet Murtezaj.

Në kontekstin e historisë së Kosovës, ai kujton figurën e Presidentit historik Ibrahim Rugova duke e cilësuar si mishërim të guximit moral, rezistencës paqësore dhe mbrojtjes së dinjitetit kombëtar. Po ashtu, Murtezaj thekson rolin e pazëvendësueshëm të gruas shqiptare, si simbol i sakrificës, qëndrueshmërisë dhe rezistencës morale nëpër breza.

Në përfundim, Murtezaj bën thirrje për rikthimin e guximit për të vërtetën si virtyt politik, të altruizmit si qëllim moral dhe të politikës si shërbim qytetar. Ai shpreh bindjen se, pavarësisht skepticizmit dhe realitetit të vështirë, kjo mbetet e mundur.

“Nuk dorëzohem asnjëherë së besuari që është e mundur”, përfundon ai. /Kosova.info/

Go to TOP