Hamiti nga Abu Dhabi: 25 milionë euro donacion për spitalin e ri të gjinekologjisë në Prishtinë, 7.5 milionë për rinovimin e spitalit “Sheikh Zayed” në Vushtrri

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka bërë të ditur një lajm të rëndësishëm për sektorin e shëndetësisë në Kosovë, pas një takimi zyrtar në Abu Dhabi.
Gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga Këshilltari Melhin Mahmuti, ambasadori Hamiti është pritur nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë në Abu Dhabi. Në këtë takim, ai është informuar se, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.

Po ashtu, gjatë takimit u bë e ditur se Departamenti i Shëndetësisë në Abu Dhabi, gjatë këtij viti, do të nisë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri, në vlerë prej 7.5 milionë euro.

Ambasadori Hamiti, në emër të shtetit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

Ky bashkëpunim vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt avancimit të infrastrukturës shëndetësore dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP