Kryeziu optimist për Kosovën U21: Shanset janë reale në kualifikime

Trajneri i Kosovës U21, Hekuran Kryeziu, ka thënë se pavarësisht vështirësive në grupin kualifikues, shanset për sukses janë reale dhe skuadra do ta japë maksimumin në ndeshjet e radhës.

Duke folur në “FFK Podcast”, Kryeziu ka theksuar se kundërshtarët janë të fortë, por Kosova U21 nuk do të dorëzohet.
“E dimë që Rumania ka prezencë në kampionate, po ashtu edhe Finlanda me një gjeneratë të mirë. E dimë që është shumë vështirë, por shanset janë reale dhe ne do të provojmë ta bëjmë më të mirën”, ka deklaruar ai.

Kryeziu ka pranuar se nuk e kishte pritur që një ditë do të bëhej trajner i Kosovës U21, ndërsa ka folur edhe për përvojën e tij si futbollist dhe ndikimin e trajnerëve me të cilët ka punuar.

“Si lojtar kam pasur fatin të kem trajnerë të mirë. Njëri prej tyre është Murat Yakin, aktualisht trajner i Zvicrës. Te ai fokusi ishte taktika dhe ndeshja e radhës. Ndërsa te Bernard Challandes më ka lënë përshtypje disiplina, mentaliteti dhe formimi i grupit”, u shpreh Kryeziu.

Në kualifikimet për Euro 2027, Kosova U21 bën pjesë në Grupin A, së bashku me Spanjën, Rumaninë, Finlandën, Qipron dhe San Marinon. Aktualisht, grupi kryesohet nga Spanja, e dyta është Finlanda, ndërsa Kosova renditet në pozitën e tretë.

Go to TOP