Votimi elektronik – mes demokracisë përfaqësuese dhe teknologjisë
Shkruan: Besart VLLAHINJA
Disa rreshta për votimin elektronik, kam shkruar në vitin 2008, në kuadër të një seminari për zbatimin e teknologjisë në proceset demokratike dhe punimi bazohej në modelin estonez, i vlerësuar si shumë i suksesshëm. Në rrafshin historik, aplikimi i një modeli teknologjik zë vend që në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar, i realizuar përmes “kartelave të shpuara” të cilat i janë subordinuar edhe teknologjisë në zhvillim të kompjuterëve dhe pajisjeve procesuese. Gradualisht, modelet e sistemeve për votim elektronik kanë evoluar dhe sot zgjidhjet në kuptimin teknik janë shkencë më vete.
Por demokracia nuk është problem inxhinierik që zgjidhet vetëm përmes teknologjisë. Ajo është marrëdhënie besimi mes qytetarit dhe shtetit. Në këtë kuptim, çdo diskutim për votimin elektronik nuk duhet të nisë nga zgjidhjet softuerike dhe infrastruktura përcjellëse, por nga parimet.
Parimi themelor i çdo procesi zgjedhor është “sekreti i votës”. Në votimin tradicional, sekreti i votës dhe procesit të votimit mbrohet fizikisht: kabina, fletë votime anonime dhe kuti të mbyllura. Në votimin elektronik, ky “sekret” realizohet përmes anonimitetit të plotë, i cili është i mundshëm përmes aparatit matematikor dhe inxhinieringut teknik. Kjo do të thotë ndarje absolute mes identitetit të votuesit dhe përmbajtjes së votës, në secilën fazë të procesit. Nëse qytetari si votues, ka dyshimin më të vogël se vota mund të lidhet me cilindo votues, shkelet parimi fondamental i demokracisë dhe vota humb kuptimin e saj.
Zgjidhja e përshtatshme për të eliminuar edhe dyshimet për komprometim të procesit zgjedhor, do të ishte ajo që kërkon pajisje të cilat implementojnë kabina dhe sisteme me pajisje elektronike, krejtësisht mobile, sikurse modelet e kabinave fizike në hapësira publike, objektet shkollore në modelin tradicional, përveç se të ndërlidhura me qendrën e të dhënave të KQZ, përmes infrastrukturës teknike, e cila teknikisht mund të jetë shumë e sigurt.
Implementimi i sistemeve të posaçme elektronike të votimit në ambientet e shkollave, do të ishin garant, sidomos për lirinë e votës. Votimi elektronik nga shtëpia e zhvendos procesin zgjedhor nga hapësira publike në ato private. Ndjenja e presionit familjar, politik apo ekonomik nuk shihet, por mund të jetë e pranishme. Një votë e hedhur pa kabinë, pa mbrojtje institucionale, rrezikon të mos jetë plotësisht e lirë, në rastin ekstrem, apo të mos perceptohet si e lirë, në rastin më pak ekstrem.
Procesi i identifikimit të qytetarit me të drejtë vote, legjitimi teknik i të drejtës për të votuar dhe autentikimi i votuesit fillon jashtë sistemit të votimit dhe varësisht prej përcaktimit të zgjidhjes teknike, kjo do të mund të realizohej edhe në sistem të veçantë, proces i monitoruar nga komisionarët ekzistues të KQZ, duke ruajtur kështu modelin ekzistues. Sistemi “duhet të dijë” saktësisht kush ka të drejtë vote, pa cenuar diskrecionin e zgjedhjes. Por, këtu lind një tjetër nyje e ndjeshme, autenticiteti i votuesit. Ky proces kërkon mekanizma të konsoliduar identifikimi dhe autentifikimi. Në këtë hap, ballafaqohemi me një dilemë tjetër të demokracisë: sa të dhëna personale jemi të gatshëm t’i japim shtetit në emër të votimit elektronik?! Megjithatë, kjo mbetet çështje shqyrtimi e akterëve të tjerë, për proporcionalitetin ndërmjet sigurisë dhe privatësisë, demokracisë dhe besimit.
Pas identifikimit dhe autentifikimit të qytetarit, sistemi gjeneron një “token anonim votimi” (“çelës një përdorimesh” apo “leje për të votuar”).
Ky token nuk përmban të dhëna personale, është i vlefshëm vetëm një here dhe nuk lejon procesin reverzibil të gjurmimit të identitetit të votuesit.
Formulari me subjektet dhe kandidatet, në formatin elektronik, mund të jenë “art më vete” në kuptimin teknik. Duke parametrizuar kushtet për votim vetëm të një subjekti politik dhe numrit të kufizuar të kandidatëve nga subjekti përkatës politik. Kësisoj, pamundësohet me elegancë mundësia për “fletëvotime të pavlefshme”
Me rastin e votimit, vota enkriptohet në pajisjen e votuesit, nuk ruhet kurrë në formë të lexueshme si dhe sistemi pranon votën vetëm nëse token-i është valid dhe i papërdorur. Kriptografia e aplikuar, do të lejonte shpalosjen e rezultateve përfundimtare vetëm në ora 19:00 të ditës së njëjtë kur janë hapur vend-votimet.
Në kohë reale, në rast të observimit të rezultateve në sistem, ajo që mund të kuptohet është vetëm fakti që një votë e vlefshme është hedhur.
Po aq kritik sa anonimiteti dhe autenticiteti është edhe integriteti i votës. Një sistem elektronik duhet të garantojë që vota të mos ndryshohet, të mos humbasë dhe të mos numërohet dy herë. Këtu nuk ka vend për “gabime teknike”. Çdo anomali, sado e vogël, minon besimin publik. Ndryshe nga një kuti fizike që shihet nga të gjithë, sistemi elektronik është i padukshëm për qytetarin. Prandaj standardet e integritetit duhet të jenë më të larta se në votimin tradicional.
Një parim që nuk duhet nënvlerësuar është edhe çështja e verifikimit nëse pjesëmarrja e tij apo saj është regjistruar, pa e zbuluar për kë ka votuar. Me këtë mekanizëm, votimi elektronik kthehet në akt besimi.
E drejta për të votuar dhe zgjedhur, është e drejtë themelore e njeriut. Votimi elektronik dhe teknologjia duhet ta lehtësojë votën për personat me nevoja të veçanta, për të moshuarit dhe për qytetarët jashtë vendit. Nëse teknologjia krijon barriera të reja, atëherë ai nuk është progres, por regres i pa-dobishëm dhe për më tepër i dëmshëm.
Gjithë ky sistem shtrihet edhe mbi komponentin e sigurisë kibernetike dhe sulmet ndaj infrastrukturës kritike, përfshirë zgjedhjet, janë opsion real i sulmit nga elemente të brendshme dhe të jashtme, të cilat fillojnë me tentativën për manipulim rezultati e përfundojnë me rrezikimin e rendit kushtetues. Sistemi i votimit elektronik ndërtohet me logjikën se do të sulmohet dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të paragjykohet siguria dhe integriteti i tij.
Votimi elektronik ndihmon duke legjitimuar procesin, legjitimon institucionet, ndërton kulturë demokratike dhe rrit besimin publik. Por, nuk mund të gabojmë dhe ta shohim këtë sistem vetëm si infrastrukturë, serverë dhe aplikacione. Teknologjia mbështet demokracinë vetëm nëse i bindet rregullave të saj themelore dhe duke u implementuar sipas standardeve teknike
Demokracia zotëron dy shtylla të fuqishme. Njërën pjesëmarrjen. Tjetrën besueshmërinë. Në mungesë të shtyllave, ajo rrënohet.
