Nga ëndrra në realitet: 15-vjeçari Ajan Vrajolli pjesë e FC Prishtinës – mbi Prishtinën vetëm qielli

FC Prishtina me krenari njofton se Ajan Vrajolli, një nga talentët më premtues të gjeneratave të reja, nga sot është zyrtarisht pjesë e familjes bardhekaltër. Vetëm 15 vjeç, Ajan Vrajolli nis një kapitull të ri dhe shumë të rëndësishëm në rrugëtimin e tij sportiv duke realizuar ëndrrën e kamotshme për të qenë pjesë e klubit të zemrës.

Mbrojtësi i majtë, i dalluar për disiplinën, përkushtimin dhe karakterin luftarak në fushë, është rritur me dashurinë për klubin kryeqytetas. Për të, FC Prishtina nuk është thjesht një klub futbolli, por dashni, identitet dhe ndjenjë e veçantë – një fanellë për të cilën, siç shprehet vetë, i rreh zemra çdo milisekond.

Ajan Vrajolli vjen nga një familje me traditë të thellë sportive, ku futbolli ka qenë gjithmonë pjesë e jetës dhe kulturës familjare. Që nga gjyshi i tij, Sherif Vrajolli, e deri te familja Vrajolli në tërësi, kjo familje ka qenë përherë një pasqyrë e futbollit kosovar duke bartur dhe kultivuar vlerat e sportit ndër breza. Kjo trashëgimi përbën një bazë të fortë në formimin sportiv dhe njerëzor të Ajanit.

Ky bashkim nuk përfaqëson vetëm një hap sportiv, por edhe vazhdimësinë e një historie të ndërtuar me punë, përkushtim dhe dashuri për futbollin. Ajan Vrajolli e sheh veten duke u zhvilluar dhe duke kontribuar me përkushtim maksimal për FC Prishtinën, klubin që sipas tij e ka vendin në majën e kupolës së futbollit kosovar.

Në këtë moment të rëndësishëm të karrierës së tij, Ajan Vrajolli ka shprehur mirënjohje të veçantë për ish-trajnerin e tij, Taulant Sadiku, i cili me profesionalizëm, punë të palodhshme dhe mbështetje të vazhdueshme ka qenë gjithmonë pranë tij duke besuar dhe kontribuar në zhvillimin e tij si futbollist.

FC Prishtina vazhdon të mbetet e përkushtuar në ndërtimin e së ardhmes përmes zhvillimit të talenteve të reja duke u dhënë hapësirë lojtarëve që e ndjejnë këtë fanellë me zemër dhe shpirt. Ajan Vrajolli është dëshmi e kësaj filozofie dhe një investim për të ardhmen e klubit.

Klubi i uron mirëseardhje Ajan Vrajollit duke i dëshiruar shëndet, sukses dhe një rrugëtim të mbushur me arritje me fanellën bardhekaltër.

🔵⚪️ FC Prishtina – o dashni, o ndjenjë e veçantë.

🔵⚪️ Mbi Prishtinën, vetëm qielli.

Go to TOP