BKK thellon bashkëpunimin me Fondacionin “Ydriz Basha”
Në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” u zhvillua sot një takim mes drejtoreshës Blerina Rogova Gaxha dhe Kimete Mitrovica Basha, udhëheqëse e Fondacionit “Ydriz Basha” dhe veprimtare e mërgatës shqiptare në Belgjikë.
Takimi kishte për qëllim thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Fondacionit “Ydriz Basha”, me fokus të veçantë promovimin e veprës shkrimore të mërgatës shqiptare në Belgjikë.
Bashkëpunimi mes dy palëve ka nisur që më herët. Në vitin 2022, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u promovua kompleti shumëvëllimësh “Ydriz Basha i Novosejt”, pjesë e kolanës së botimeve të veçanta “Kujtesa e Kosovës”.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu mundësia e promovimit të kësaj vepre në Bruksel, me synim sensibilizimin e komunitetit shqiptar dhe publikut më të gjerë për rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike, si dhe për promovimin e veprës së Ydriz Basha, një figurë me kontribut të veçantë në çështjen e Kosovës dhe në proceset e ndërtimit të shtetit të saj. /Kosova.info/
