PDK: Çdo indikacion për manipulim të votës është i papranueshëm, procesi zgjedhor duhet të mbetet i paprekshëm
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se po e përcjell me vëmendje të shtuar procesin e rinumërimit të votave, si dhe mospërputhjet e evidentuara në disa komuna të Kosovës.
Në një reagim zyrtar, PDK ka theksuar se çdo indikacion për cenim apo manipulim të votës është i papranueshëm dhe përbën shkelje serioze të parimeve demokratike.
“Për ne si subjekt politik, indikacionet për cenim apo manipulim të votës janë të papranueshme. Vota e qytetarëve është e shenjtë dhe çdo trajtim jokorrekt ose përpjekje për manipulim shkel parimet demokratike që ne mbrojmë,” thuhet në reagimin e PDK-së.
Sipas kësaj partie, standardi duhet të jetë i njëjtë për çdo votë, nga momenti i hedhjes së saj deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve zgjedhore.
“Standardi ynë është i qartë dhe çdo votë duhet të trajtohet me të njëjtin respekt dhe kujdes, nga momenti i hedhjes deri në certifikimin përfundimtar të rezultateve,” thekson PDK.
Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se eliminimi i çdo dyshimi rreth procesit zgjedhor është në interes të kandidatëve, institucioneve dhe qytetarëve duke nënvizuar rëndësinë e transparencës dhe besueshmërisë së procesit.
PDK ka bërë të ditur se po i pret konkluzionet zyrtare të organeve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me besimin se e vërteta dhe vullneti i qytetarëve do të reflektohen saktë dhe në përputhje me ligjin.
Në fund të reagimit, PDK ka rikonfirmuar përkushtimin e saj të palëkundur për ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe për respektimin e plotë të votës së qytetarëve të Kosovës. /Kosova.info/
