Rugova: LDK ka nevojë për qetësi, reflektim dhe përgjegjësi – shtëpia jonë duhet mbrojtur
Naser Rugova ka reaguar lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke sqaruar arsyet e mungesës së tij në prononcimet publike.
Përmes një mesazhi drejtuar miqve, bashkëveprimtarëve, strukturave të LDK-së dhe anëtarësisë, Rugova thekson se ka folur dhe paralajmëruar herët për trendët negative brenda partisë duke qenë ndër të parët që ka ngritur shqetësime se gjërat nuk po shkonin në drejtimin e duhur.
Ai përdor analogjinë e mjekësisë për të shpjeguar qëndrimin e tij aktual duke thënë se, sipas parimeve dhe etikës mjekësore, pacientit të lënduar i jepet fillimisht ndihma e parë, e më pas ndërmerren veprime të tjera.
Rugova nënvizon se LDK është “shtëpia jonë” dhe u takon vetëm anëtarësisë dhe votuesve të saj duke shtuar se ajo duhet ruajtur dhe mbrojtur me çdo kusht, veçanërisht në këto kohë të vështira për një parti historike që, sipas tij, përbën vlerë kombëtare.
“Na duhet qetësi, urtësi, koka të ftohta, por patjetër reflektim dhe përgjegjësi,” thekson Rugova duke u bërë thirrje të gjithë zyrtarëve të partisë që në çdo veprim dhe deklarim të mendojnë për interesin e LDK-së.
Në fund, ai shprehet se nuk ka më shumë për të shtuar duke theksuar se heshtja “është ari dhe flet shumë”, dhe e mbyll reagimin me urimin: “Zoti e bekoftë LDK-në, Zoti e bekoftë Kosovën tonë!”. /Kosova.info/
