Demhasaj: Zgjedhjet në Kosovë të komprometuara rëndë, kërkohet hetim urgjent nga Prokuroria

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet, Arton Demhasaj, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë duke theksuar se zgjedhjet e fundit janë komprometuar rëndë dhe kanë cenuar drejtpërdrejt vullnetin e qytetarëve.

Demhasaj ka deklaruar se zgjedhjet përbëjnë motorin kryesor të demokracisë dhe se pa zgjedhje të lira e demokratike nuk mund të ketë institucione qeverisëse legjitime. Sipas tij, ndonëse Kosova në pamje të parë organizon zgjedhje që duken demokratike, analizimi i proceseve të brendshme tregon se ato kanë qenë seriozisht të komprometuara, madje edhe me elemente kriminale.

“Vullneti i qytetarëve është cenuar, shtrembëruar dhe në disa raste edhe i vjedhur. Kjo është e papranueshme për një shtet që pretendon të ndërtojë demokraci funksionale”, ka theksuar Demhasaj.

Ai ka bërë thirrje për një hetim të menjëhershëm, të thellë dhe të pavarur nga Prokuroria, për të gjitha manipulimet dhe parregullsitë që, sipas tij, kanë shoqëruar procesin zgjedhor.

“Pa zgjedhje plotësisht të lira dhe demokratike, demokracia jonë do të mbetet vetëm një tentativë dhe jo një realitet”, ka përfunduar kandidati i AAK-së për deputet. /Kosova.info/

Go to TOP