Demelezi udhëheq takimin e ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore në Berlin

Ministri në detyrë i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, Imri Demelezi udhëhoqi takimin e Ministrave të Bujqësisë të Evropës Juglindore, në kuadër të Forumit Global për Ushqim dhe Bujqësi, i cili u mbajt në Berlin. Ky takim u zhvillua në cilësinë e tij si përfaqësues i Presidencës së Asamblesë së Grupit Teknik për Zhvillim Regjional dhe Rural në Evropën Juglindore (SWG), ndërsa i pranishëm ishte edhe ministri federal gjerman, Alois Rainer.

Gjatë adresimit të tij, ministri Demelezi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, zhvillimit të qëndrueshëm rural dhe përshpejtimit të procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, në frymën e Procesit të Berlinit.

“Po ashtu, ndava progresin e Kosovës në përafrimin e politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së, veçanërisht në fushat e bujqësisë, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural duke rikonfirmuar përkushtimin tonë për reforma dhe zhvillim afatgjatë”, ka thënë Demelezi.

Sipas tij, Kosova po dëshmohet gjithnjë e më shumë si një partner i besueshëm rajonal dhe evropian, i gatshëm për bashkëpunim konstruktiv, investime dhe tregti të lirë.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga 15 shtete, përfshirë Francën, Poloninë dhe Italinë. /Kosova.info/

Go to TOP