Sindikata e Policisë: Çdo lajmërim i rremë ndaj zyrtarëve policorë duhet të ndëshkohet

Sindikata e Policisë së Kosovës ka përgëzuar punën profesionale të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) lidhur me rastin e fundit në Leposaviq, ku një qytetar kishte bërë lajmërim të rremë duke pretenduar se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas Sindikatës, rasti kishte ndodhur më 13 janar 2026, në afërsi të Urës së Bistricës, ku pas pranimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë dhe zhvillimit të hetimeve përkatëse, IPK ka konstatuar se pretendimet e ankuesit nuk kishin asnjë bazë faktike dhe ligjore.

Pas përfundimit të hetimeve, është vërtetuar se qytetari kishte dezinformuar institucionin dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal për veprën penale të lajmërimit të rremë.

Sindikata e Policisë së Kosovës vlerëson se një qasje e tillë profesionale nga IPK-ja është thelbësore dhe shpreh bindjen se, nëse ndaj çdo lajmërimi të rremë do të ndërmerren masa ligjore dhe do të ngrihen kallëzime penale, raste të tilla do të reduktohen ndjeshëm në të ardhmen.

Po ashtu, Sindikata thekson se një veprim i tillë rrit ndjenjën e sigurisë dhe mbrojtjes për punonjësit e Policisë së Kosovës duke forcuar besimin e tyre në punën e IPK-së si institucion mbikëqyrës.

“Në këtë mënyrë, zyrtarët policorë nuk do të ndihen të pambrojtur dhe do të kenë më shumë besim në institucionet përgjegjëse për mbikëqyrje dhe drejtësi,” thuhet në reagimin e Sindikatës.

Në fund, Sindikata e Punonjësve të Policisë së Kosovës vlerëson se kjo qasje e IPK-së është e domosdoshme si mburojë institucionale për çdo zyrtar policor dhe kontribuon drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë. /Kosova.info/

Go to TOP