Surdulli kërkon dorëheqjen e Abdixhikut: Anashkalimi i standardit po e dëmton rëndë LDK-në
Ish-kryetari i Degës së LDK-së në Kamenicë dhe ish-kryetar i Komunës, Shaip Surdulli, ka reaguar pas rezultatit jo të mirë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme dhe pa kthim të kryetarit aktual të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Në një deklarim publik, Surdulli thekson se, bazuar në standardin e vendosur brenda LDK-së për dorëheqje në rast të rezultateve të dobëta zgjedhore – standard i artikuluar disa herë edhe nga vetë Abdixhiku – kryetari i partisë duhet të japë dorëheqje dhe në Kuvendin e LDK-së të zgjidhet një kryetar i ri.
“Çdo anashkalim i kësaj procedure vetëm sa e dëmton më tej LDK-në,” vlerëson Surdulli duke kujtuar shembullin e vitit 2021, kur pas zgjedhjeve parlamentare akademik Isa Mustafa dha dorëheqje dhe pa vonesë u thirr Kuvendi zgjedhor, nga i cili u zgjodh Lumir Abdixhiku kryetar i LDK-së.
Sipas Surdullit, ideja që kryetari aktual ta “ofrojë” dorëheqjen në Kuvend dhe më pas të votohet nëse ajo pranohet ose jo, nuk i shërben interesit të partisë. Përkundrazi, ai paralajmëron se një qasje e tillë mund të prodhojë dorëheqje të tjera, përçarje, mungesë uniteti dhe pasoja negative për të ardhmen e LDK-së.
Duke theksuar se ky qëndrim është shprehje e një mendimi personal dhe e dashurisë për LDK-në, Surdulli rikujton angazhimin e tij të gjatë në parti. Ai është anëtar dhe rugovist i LDK-së që nga themelimi, ka udhëhequr Degën e LDK-së në Kamenicë nga viti 2000 deri më 2019 dhe ka drejtuar Komunën e Kamenicës në periudhat 2000–2007 dhe 2009–2013.
Në fund, Surdulli shpreh shpresën se veprimet e ardhshme do të merren “për të mirën e LDK-së”. /Kosova.info/
