Halimi: LDK ka nevojë për maturi dhe unitet, jo për spektakël politik

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda partisë duke bërë thirrje për maturi, unitet dhe respektim të mekanizmave institucionalë të vendimmarrjes.

Halimi thekson se maturia në politikë është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi publik duke nënvizuar se përfaqësuesit politikë nuk flasin vetëm në emër të tyre, por mbartin përgjegjësi ndaj elektoratit dhe qytetarëve që besojnë te vlerat e LDK-së.

“Çdo krizë ka adresën e vet dhe mekanizmat e duhur për t’u trajtuar. Organet e partisë janë hapësira legjitime ku krizat elaborohen, ku reflektohet me qetësi dhe ku merren vendime me përgjegjësi”, ka theksuar ajo duke shtuar se debatet dhe reflektimi duhet të zhvillohen brenda strukturave të partisë.

Sipas Halimit, mendimi i lirë dhe shprehja kritike janë fryma e gjallë e LDK-së dhe nuk duhet të heshten, por paralajmëron se po aq e dëmshme është zëvendësimi i debatit politik me gjeste simbolike që, siç thotë ajo, synojnë më shumë moralizim publik sesa zgjidhje reale politike.

Ajo vlerëson se në këtë fazë LDK-ja ka më shumë se kurrë nevojë për maturi duke e cilësuar atë jo si shenjë dobësie, por si formën më të lartë të forcës politike. “LDK nuk është parti e spektaklit. Ajo është ndërtuar mbi bindjen se politika është veprim i matur në hapësirën publike, jo performancë e çastit”, përfundon Halimi. /Kosova.info/

Go to TOP