Sadiku: LDK-së i duhet figurë që ta sfidojë realisht Kurtin

Analisti politik Arbnor Sadiku në një prononcim për Kosova.info ka komentuar hapur zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke vlerësuar se pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e fundit, partia ka hyrë në një fazë ku ndryshimi i lidershipit është i pashmangshëm.

I pyetur nëse Lumir Abdixhiku duhet të japë dorëheqje, Sadiku thekson se LDK-ja ka nevojë për një lider të ri, më karizmatik dhe më konkurrues, i cili të dalë nga një proces i hapur dhe meritokratik.

“LDK-së i duhet të zgjedhë një lider më karizmatik dhe konkurrues, sidomos pas hapjes së kuvendit të ri të partisë dhe rezultatit të dobët elektoral. Procesi duhet të jetë i hapur, meritokratik dhe i orientuar kah publiku, jo vetëm kah strukturat e brendshme të partisë,” ka deklaruar Sadiku.

Ai është i prerë se praktikat e vjetra duhet të marrin fund.

“Jo kandidatura me marrëveshje. Jo kuvende të improvizuara,” thekson analisti.

Sipas Sadikut, lideri i ri i LDK-së duhet të zgjidhet vetëm në kushte të qarta politike.

“Duhet të ketë garë reale. Duhet të ketë përfshirje të anëtarësisë dhe jo vetëm të deputetëve aktualë. Dhe duhet të ketë program të qartë për ndryshim të strategjisë dhe metodave të të bërit opozitë,” shprehet ai.

Në vlerësimin e tij, figura e ardhshme e LDK-së duhet të përfaqësojë një ndryshim të madh politik.

“LDK-së i duhet një person që bën ballë tundimit të LVV-së dhe që është antipod i Albin Kurtit për të ardhmen,” nënvizon Sadiku.

Duke folur për çështjen e presidentit, analisti mban një qëndrim po aq të ashpër ndaj opozitës.

Ai thotë se opozita nuk duhet të votojë një president që vjen nga pushteti, por duhet të kërkojë që presidenti t’i takojë edhe asaj, në mënyrë që të ruhet balanca e demokracisë.

“E kundërta e dërgon vendin në një sistem autokratik,” paralajmëron Sadiku.

Sipas tij, opozita duhet të qëndrojë në Kuvend me qëndrim politik të qartë dhe jo pa kushte, sepse vetëm kështu ruhet roli real i saj në funksionimin demokratik të shtetit./Kosova.info/

Go to TOP