27 vjet nga vrasja e Enver Malokut – Përparim Rama: Figura themeltare e fjalës së lirë dhe mendimit kritik në Kosovë
Sot shënohen 27 vjet nga vrasja e Enver Malokut, një prej figurave më të rëndësishme të mendimit kritik, fjalës së lirë dhe veprimit politik demokratik në Kosovë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kujtuar veprën dhe sakrificën e Malokut, duke e cilësuar atë si një intelektual dhe veprimtar të përkushtuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili i dha kuptim etik dhe intelektual angazhimit politik në kohë represioni.
Sipas Ramës, Enver Maloku e shndërroi informimin dhe komunikimin publik në akt rezistence qytetare, duke mbrojtur me guxim fjalën e lirë dhe mendimin kritik në një nga periudhat më të errëta për vendin. “Vrasja e tij më 11 janar 1999 ishte një goditje e rëndë për fjalën e lirë dhe mendimin kritik politik në Kosovë.
Megjithatë, jeta dhe vepra e Enver Malokut vazhdojnë të mbeten referencë morale, politike dhe profesionale për brezat e së ardhmes”, ka theksuar Rama. Në përvjetorin e vrasjes së tij, Enver Maloku kujtohet si simbol i gazetarisë së angazhuar, mendimit të pavarur dhe rezistencës qytetare. Lavdi jetës dhe veprës së Enver Malokut!/Kosova.info/
