IHMK: Ngritje e ulje të lehta të niveleve të ujit në disa lumenj të Kosovës
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar ndryshime të lehta të niveleve të ujit në disa nga lumenjtë kryesorë të vendit, si pasojë e kushteve të përgjithshme atmosferike dhe reshjeve të herëpashershme të shiut.
Sipas IHMK-së, disa nga lumenjtë që i përkasin pellgut të Drinit të Bardhë aktualisht janë duke shënuar rënie të lehta të niveleve, ndërsa disa të tjerë kanë pësuar ngritje të lehtë. Drini i Bardhë, në rrjedhën e tij të poshtme, ndodhet në kuotat maksimale, si rezultat i reshjeve të ditëve të fundit dhe kullimit të sistemeve ujore.
Në pjesën qendrore të Kosovës, lumenjtë Ibri dhe Sitnica, bashkë me degët e tyre, janë në rënie të lehtë, përjashtim bën lumi i Llapit, i cili aktualisht është në ngritje.
Po ashtu, IHMK bën të ditur se të gjitha rrjedhat lumore që i përkasin pellgut të Moravës së Binçës janë në ngritje të lehtë, ndërsa situatë e ngjashme paraqitet edhe në pellgun e Lepencit.
Sipas institutit, ngritjet dhe luhatjet e niveleve të ujit varen nga kushtet atmosferike, përkatësisht nga sasia dhe intensiteti i reshjeve që bien në intervale të ndryshme në zona të caktuara.
IHMK ka bërë të ditur se të dhënat e fundit për nivelet e ujit në lumenj janë siguruar nga rrjeti shtetëror i stacioneve hidrometrike dhe janë në përditësim të vazhdueshëm. /Kosova.info/
