Al Jazeera: Skenarët pas fitores së partisë në pushtet në zgjedhjet e Kosovës
02.01.2025 – Prishtinë / Doha
Autor: Saber Halimeh për (Al Jazeera), Përkthim dhe adaptim: Berzat Berzati për Kosova.info,
Kosova ka kaluar më shumë se 50 përpjekje të dështuara për të formuar qeveri gjatë vitit 2025, gjë që në fund çoi në zgjedhje të parakohshme parlamentare më 28 dhjetor të vitit të kaluar, me shpresën se vendi do të dilte nga ngërçi politik.
Rezultatet paraprake treguan fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, me një diferencë të qartë ndaj rivalëve më të afërt, pasi sipas të dhënave të fundit jo përfundimtare ajo mori 49,3% të votave.
Ky rezultat i garanton Kurtit të paktën 56 ulëse nga 120 në Kuvend, ndërsa përfaqësuesit e pakicave etnike kanë 10 ulëse të rezervuara dhe tradicionalisht mbështesin partinë fituese. Kjo mund t’i japë Kurtit 61 vota, të mjaftueshme për të formuar qeverinë pa pasur nevojë të kërkojë partnerë të tjerë, sidomos kur rreth 70 mijë vota të diasporës ende nuk janë numëruar, çka e rrit gjasën e zgjerimit të epërsisë.

Drejt Bashkimit Evropian
Në një postim në platformën X, Kurti falënderoi qytetarët e Kosovës që i dhanë, siç e quajti ai, një “mandat dërrmues”, duke theksuar se “e ardhmja e Kosovës është e begatë dhe po ecën fuqishëm drejt Bashkimit Evropian”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pret që Kuvendi dhe qeveria e re të formohen shpejt, duke kërkuar që prioritet i menjëhershëm të jetë miratimi i buxhetit të shtetit dhe ratifikimi i marrëveshjeve kryesore ndërkombëtare.
Osmani paralajmëroi se vonesat në krijimin e institucioneve mund të pengojnë sigurimin e financimit ndërkombëtar në vlerë 1 miliard euro, përfshirë fondet e rritjes të BE-së dhe marrëveshjet e mbështetura nga Banka Botërore.
Nga ana evropiane, përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme të BE-së, Kaja Kallas, tha se Kosova duhet të vazhdojë zbatimin e reformave të nevojshme, duke shtuar se “pas ngërçit politik që pasoi zgjedhjet e shkurtit 2025, presim që Kuvendi dhe qeveria e re të formohen sa më shpejt”.

Optimizëm i kujdesshëm
Analisti politik dr. Sadri Ramabaja, drejtor i Institutit Shqiptar të Gjeopolitikës, vlerëson se zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pas një ngërçi institucional që zgjati gati një vit, i shkaktuar nga pamundësia për të formuar një qeveri efektive. Sipas tij, rezultati aktual tregon një fitore vendimtare të Vetëvendosjes, duke ndryshuar rrënjësisht kontekstin politik dhe standardet e ngërçit institucional.
Ramabaja i tha Al Jazeera-s se bllokada politike gjatë vitit 2025 nuk ishte thjesht produkt i llogarive parlamentare, por “një krizë më e thellë e legjitimitetit politik dhe e kulturës së konsensusit”.
Ai shtoi se “refuzimi për të ndërtuar institucione funksionale – pavarësisht rezultatit zgjedhor – e shndërroi pluralizmin politik në mjet bllokues; prandaj zgjedhjet e fundit nuk ishin vetëm një mekanizëm procedural për të dalë nga kriza, por edhe një test standardesh mbi aftësinë e sistemit politik për ta respektuar vullnetin e qytetarëve”.
Ndërkohë, kryeredaktori i agjencisë së pavarur “Kosovo Info”, Berzat Berzati, tha se konturat e realitetit të ri politik do të qartësohen shpejt, gjë që e ul mundësinë e një ngërçi të gjatë institucional.
Me avancimin e Vetëvendosjes dhe mundësinë që ajo të kalojë pragun 50%, Berzati shprehu optimizëm se një qeveri e re mund të formohet shpejt pas konstituimit të Kuvendit të ri, bashkë me ngritjen e shpejtë të komisioneve parlamentare – një proces që, sipas tij, nuk ndodhi në legjislaturën e kaluar.
Sipas Berzatit, afati realist për këtë do të ishte fillimi i javës së tretë të këtij muaji, sidomos nëse mbështetja e partive të pakicave (përjashtuar lista serbe) e ndihmon Vetëvendosjen të lëvizë shpejt.
Ai pret që Kosova të jetë më stabile sesa vitin e kaluar, megjithëse thekson se stabiliteti nuk vjen automatikisht. Sipas tij, testi vendimtar i vitit 2026 do të jenë zgjedhjet presidenciale.
Berzati nënvizon se prova kryesore për qeverinë e ardhshme do të jetë sa shpejt do t’u përgjigjet çështjeve që i prekin drejtpërdrejt qytetarët: ekonomisë, investimeve, shërbimeve publike dhe sigurisë.

Marrëdhëniet me serbët
Sa i përket marrëdhënieve me pakicën serbe në veri të vendit, Berzati thotë se nuk pritet ndryshim i kursit të përgjithshëm: Kosova do të vazhdojë zgjerimin e institucioneve dhe zbatimin e ligjeve, me më shumë fokus te qeverisja e përditshme (shërbimet, administrata dhe mbledhja e pagesave) dhe më pak te retorika politike e zhurmshme.
Ai thekson se nuk duhet anashkaluar data 15 janar, kur pritet të zbatohen rregulla më të rrepta të qëndrimit për të huajt që punojnë në Kosovë, përfshirë profesorë, mjekë, biznesmenë dhe studentë, si dhe rregullat për përdorimin e automjeteve me targa serbe që do t’i nënshtrohen kërkesave të licencimit. Sipas tij, kjo mund të bëjë që një numër i madh automjetesh të dalin praktikisht jashtë përdorimit.
Sektori i shëndetësisë dhe ai i arsimit – që funksionojnë sipas sistemit serb – konsiderohen ndër më të ndjeshmit në veri, çka rrit mundësinë e rikthimit të tensioneve.
Nga ana tjetër, Ramabaja thotë se pakica serbe në veri “po shfrytëzohet politikisht”, duke pretenduar se Beogradi ka synuar ta kthejë atë në një “kolonë të pestë” për ta mbajtur Kosovën shtet jofunksional.
Ai thekson se “pakica serbe nuk trajtohet më si çështje thjesht e negociueshme, por si test praktik i ushtrimit të sovranitetit”, dhe se politika e Kosovës ndaj saj pritet të masë “kalimin nga një sovranitet i copëzuar e i negociuar, në një sovranitet plotësisht efektiv”.
Përmirësimi i marrëdhënieve
I pyetur për të ardhmen e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian me Kosovën, Ramabaja u përgjigj se kjo çështje prek thelbin e ndërveprimit mes legjitimitetit të brendshëm dhe pranimit ndërkombëtar. Ai vlerëson se fitorja e Vetëvendosjes nuk i zgjidh automatikisht tensionet me BE-në dhe SHBA-në, por e ndryshon rrënjësisht natyrën e kësaj marrëdhënieje.
Sipas Ramabajës, “sanksionet e BE-së ishin krejtësisht të padrejta” dhe erdhën si rezultat i presioneve pro-serbe brenda Unionit, ndërsa “shtyrja nga SHBA e dialogut strategjik” kishte prapavijë më të gjerë.
Ai argumenton se të dyja këto masa nuk ishin thjesht reagim ndaj politikave të caktuara të qeverisë së Kosovës, por edhe shprehje e një perceptimi se qeveria vepronte nga një pozitë dobësie politike, e mbështetur nga një shumicë e kontestuar dhe e prirur ndaj përballjeve.
Presidentja Osmani kishte deklaruar muajin e kaluar se BE vendosi t’i heqë masat e vendosura ndaj Kosovës që nga viti 2023 për shkak të tensioneve në veri, pas samitit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Ramabajës, rezultati i zgjedhjeve e bën qeverinë më të fortë në diskurs, me një mandat demokratik të qartë e të ripërtërirë, në kuptimin që politikat e Prishtinës nuk mund të reduktohen më si “devijime qeveritare”, por duhet të kuptohen si shprehje e një konsensusi të gjerë popullor.
Nga ana e tij, Berzati e lidh përmirësimin e marrëdhënieve gjatë vitit të ri me dy mbështetësit kryesorë të Kosovës (SHBA dhe BE) me mungesën e veprimeve të reja që do të ndiznin tensione në veri. Ai vlerëson se heqja e masave evropiane dhe hapja e paketave të ndihmës financiare mund të ndihmojnë në mbështetjen e projekteve dhe planifikimin e buxhetit.
Për marrëdhëniet me SHBA-në, Berzati thotë se megjithëse Uashingtoni e ka pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, hapa si pranimi i përkohshëm i një numri të kufizuar personash të dëbuar nga SHBA “dërgojnë një mesazh se Kosova dëshiron të mbetet partner i besueshëm”.
Në përfundim, Berzati nënvizon se veriu mbetet çështja më e mundshme që mund të komplikojë marrëdhëniet e Kosovës si me BE-në ashtu edhe me SHBA-në, prandaj “toni dhe zbatimi” janë po aq të rëndësishëm sa vetë masat.
