Shoferëve u kërkohet kujdes i shtuar gjatë ngasjes në veri të Mitrovicës
Gjatë pesë ditëve të fundit, në Mitrovicën e Veriut janë regjistruar tri aksidente trafiku. Lajmi është konfirmuar nga Policia e Kosovës përmes një njoftimi në Facebook, ku njëkohësisht u është bërë thirrje shoferëve që të tregojnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit rrugor.
Sipas policisë, vetëm në ditët e para të këtij viti janë evidentuar tre aksidente, çka ka nxitur rritjen e prezencës policore në rrugët magjistrale, rajonale, urbane dhe rurale të rajonit të Mitrovicës së Veriut.
Qëllimi i kësaj mase është parandalimi i aksidenteve dhe rritja e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve që të jenë të pajisur me pajisje dimërore dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, duke respektuar në veçanti këto rregulla:
-përdorimin e gomave dimërore,
-përshtatjen e shpejtësisë me kushtet e rrugës,
-mbajtjen e distancës së sigurt mes automjeteve,
-vendosjen e rripit të sigurisë,
-respektimin e përgjithshëm të rregullave të trafikut.
Po ashtu, për shkak të festave, policia thekson se drejtimi i automjetit nën ndikimin e alkoolit apo substancave të tjera është rrezik serioz për jetën dhe sigurinë në trafik, duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos e praktikojnë këtë veprim.
