Policia e Kosovës në zbatim të urdhrit operativ për zgjedhjet e parakohshme: Procesi deri tani i qetë dhe pa incidente
Policia e Kosovës ka hartuar dhe ka filluar zbatimin e urdhrit operativ “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Sot, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, janë mbajtur dy takime zyrtare informuese dhe koordinuese lidhur me planifikimin, zbatimin dhe koordinimin e këtij urdhri operativ. Takimi i parë u zhvillua me drejtorët rajonalë dhe drejtorët e departamenteve të Policisë së Kosovës, ndërsa në takimin e dytë morën pjesë edhe përfaqësues të organeve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe institucioneve të tjera relevante vendore dhe ndërkombëtare.
Në këto takime, pjesëmarrësit u njoftuan me përgatitjet dhe planifikimet policore që kanë për qëllim garantimin e sigurisë gjatë gjithë procesit zgjedhor dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, prezantoi përgatitjet e deritanishme dhe angazhimet policore gjatë fushatës zgjedhore duke theksuar se procesi deri më tani ka qenë i qetë dhe pa incidente. Ai kërkoi nga të gjithë menaxherët rajonalë dhe qendrorë mbikëqyrje të shtuar dhe përkushtim maksimal, në mënyrë që detyrat të kryhen me profesionalizëm dhe integritet të lartë.
Ndërkohë, nga Drejtoria për Planifikim dhe Vlerësim Operacional u shpalos urdhri operativ, ku u prezantuan detyrat konkrete, angazhimet, si dhe bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve brenda strukturave policore dhe me institucionet e tjera relevante.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbetet e përkushtuar për zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, me synimin për të garantuar ushtrimin e lirë dhe demokratik të së drejtës së votës për të gjithë qytetarët.
Me këtë rast, Policia e Kosovës i inkurajon qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që lidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, përmes numrit emergjent 192, adresës elektronike [email protected], apo në stacionin policor më të afërt. /Kosova.info/
