Krasniqi: 100 eurot e Kurtit janë blerje vote me para publike

Kandidatja e LDK-së për deputete me numër 84, Nazmije Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë Kurti për ndarjen e 100 eurove për qytetarët duke e cilësuar këtë veprim si populizëm të hapur dhe blerje të drejtpërdrejtë të votës me para publike.

Sipas Krasniqit, ky vendim nuk buron nga një strategji serioze ekonomike, por nga frika e humbjes së besimit qytetar pas një qeverisjeje që, sipas saj, ka dështuar të adresojë problemet reale të vendit. “Në vend që të ndërtojë politika afatgjata për rritjen e pagave, mbështetjen e prodhimit vendor dhe uljen e çmimeve, qeveria ka zgjedhur rrugën më të lehtë – shpërndarjen e parave publike për përfitim elektoral”, ka theksuar ajo.

Krasniqi ka kritikuar edhe menaxhimin ekonomik të qeverisë gjatë mandatit duke përmendur rritjen e pakontrolluar të çmimeve të produkteve bazike, shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe pasigurinë ekonomike për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Ajo ka theksuar se 100 euro nuk mbulojnë as shpenzimet mujore të energjisë për shumë familje, e aq më pak shportën minimale ushqimore. “Kjo është një fyerje për inteligjencën e qytetarëve dhe një përpjekje për të maskuar dështimet strukturore me një pagesë simbolike”, ka deklaruar Krasniqi.

Sipas saj, ky vendim krijon edhe një precedent të rrezikshëm për keqpërdorimin e buxhetit të shtetit. “Paratë publike nuk janë pronë e qeverisë dhe nuk duhet të përdoren si mjet propagande politike. Në një shtet serioz, mbështetja sociale nuk shpërndahet në prag zgjedhjesh, por përmes politikave të qëndrueshme, transparente dhe të barabarta për të gjithë qytetarët”, ka shtuar ajo.

Në fund, Krasniqi ka theksuar se Kosova nuk ka nevojë për “lëmoshë elektorale”, por për qeverisje të përgjegjshme, zhvillim ekonomik real dhe institucione që punojnë për qytetarin gjatë gjithë vitit. “Qytetarët meritojnë dinjitet, jo manipulim”, ka përfunduar kandidatja e LDK-së për deputete. /Kosova.info/

Go to TOP