Visar Azemi: Kurti, që e refuzoi gazin amerikan, duhet me i tregu qytetarëve pse është shtrenjtuar kaq shumë rryma
Kandidati i LDK-së për deputet, Visar Azemi, ka folur për shkaktarët e shtrenjtimit të rrymës për qytetarët e Kosovës.
Ai tha se shumat marramendëse me të cilat u ble rryma nga jashtë ndikoi në rritjen e faturave, duke thënë se ishte çmim artificial.
“Kah ka ardhë qeky shtrenjtim? Me kuptu që importi i madh i energjisë elektrike është si rezultat i mungesës së prodhimit vendor, me shuma marramendëse të blerjes së energjisë dhe me shuma marramendëse të transportit të energjisë prej Vukhamoviqit dhe bandës së tij, si dhe me shumë intervenime ad-hoc në kohë të caktuara. Këtu çuditërisht, gjeneratorët e Kosova A dhe Kosova B kanë punuar, por ka rënë prodhimi vendor dhe rrjedhimisht je detyruar të blesh energji jashtë. Kjo kosto, po flas për rreth 700–800 euro megavato, edhe me bler edhe me e mbajt, ka rezultuar me çmim artificial të ngritur faturave të energjisë elektrike”, ka thënë Azemi.
Ai tha se kjo ndodhi për shkak se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka pranuar ndërtimin e centralit me gaz, i cili ishte ofruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“I përzunë nga Kosova, madje duke thënë se ky gaz është rus dhe sot i ka vënë në funksion Martin Berishën, Nagip Krasniqin, që i ka në krye këtu me Dejona Mihalin, e cila i menaxhon komplet bandën e saj dhe Hamoviqin jashtë për të bërë abuzime me energjinë elektrike”.
Ai zbuloi edhe planet e tyre mbi këtë çështje.
“Pa e ndërtuar centralin me gaz, që është premtimi ynë kryesor dhe projekti ynë kapital me SHBA-të për ta gazifikuar Kosovën, ulja apo heqja e TVSH-së nga energjia elektrike është hapi i parë dhe i menjëhershëm. Në gjashtë muajt e parë, në partneritet strategjik me SHBA-të, do t’i mundësojmë Kosovës gazifikimin, ndërtimin e centralit me gaz dhe ndërtimin e ngrohtoreve të qëndrueshme në qendrat kryesore të Republikës së Kosovës”, ka thënë Azemi.
