Vëllau i Liridonës: Planifikim i vrasjes për 7 minuta, s’u elaboruan provat

Vëllua i viktimës së ndjerë, Liridonës, Leonard Ademaj tha se provat e paraqitura në seancën e sotme dëshmojnë se Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë ata që e privuan nga jeta motrën e tij.

“Nuk ishte ditë e lehtë, pasi i pamë videot e fundit të jetesës së motrës sonë. Ajo çfarë pamë në video sot ishte që tre të akuzuarit e kishin planifikuar mirë, pasi gjithë ngjarja ka ndodhur për 7 minuta. Ajo çfarë pamë sot në ato pamje e qartëson mirë se Naimi bashkë me Kushtrimin janë organizatorët kryesorë të vrasjes, ndërsa vrasësi i motrës sime është Granit Plava”, tha ai në një prononcim për media, pas përfundimit të seancës.

Ademaj pati kritika për, sipas tij, mos lejimin e elaborimit të provave në mënyrë të detajuar.

“Ajo çfarë na brengosi sot ishte moslejimi i elaborimit të provave nga ana jonë, pra elaborimi i provave për ne është jetësore, sepse e qartëson edhe më mirë rolin kyç të Kushtrim Kokallës, bashkëpunimin me Naimin në rrugëtimin e tyre. Ne do të kërkojmë nga gjykata përsëri t’i elaborojmë provat, sepse është jetike”, ka thënë Ademaj.

Gjatë seancës së sotme u shfaqen video-incizime nga dita e vrasjes së Liridona Ademajt. Pamjet e shfaqura dokumentojnë moment pas momenti komunikimet e Granit Plavës e Naim Murselit, duke filluar nga takimet në pompë derivatesh, për të vazhduar me qëndrimin në të njëjtin restaurant në mënyrë të ndarë, Murseli me viktimën Liridona Ademajn e fëmijët dhe Plava që ulet në pjesën e kundërt të tyre.

Një çështje tjetër e shtruar  ishte qëndrimi i përbashkët i tyre në një hotel, teksa prokurorja e rastit Pelinçeviq tha se të akuzuarit e kanë pranuar se atë natë kanë qëndruar në hotel, e që ky është fakt i pakontestueshëm.

Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim për shtyerjen e seancës për 29 janar.

Go to TOP