Muharremi: Nga favorit i Konjufcës, në shënjestër linçimi
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetarit të saj, Glauk Konjufca duke rrëfyer një përvojë personale që, sipas tij, dëshmon degradimin e diskursit politik brenda kësaj partie.
Muharremi thekson se për një periudhë të gjatë Konjufca ka qenë zyrtari i tij favorit në LVV dhe se në disa raste e kishte propozuar publikisht si pasardhës të Albin Kurtit në krye të partisë. Megjithatë, ai shprehet se situata ndryshoi rrënjësisht para disa muajsh.
Sipas Muharremit, një këshilltar i afërt i Konjufcës tentoi ta linçojë publikisht duke e akuzuar se citohet nga mediat e Serbisë dhe duke e etiketuar si person me “diploma të qebatoreve”, përmes një gazete që ai e cilëson linçuese.
Duke reaguar ndaj këtyre akuzave, Muharremi thekson se ka fituar dy bursa prestigjioze ndërkombëtare, një nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, në konkurrencë shumë të ashpër, si dhe se ka rreth 25 vjet përvojë profesionale unike.
“Megjithatë, u shpalla ‘spiun i Serbisë’ dhe njeri me ‘diploma të qebatoreve’”, shkruan ai duke e cilësuar këtë gjuhë si urrejtëse dhe të papranueshme në diskursin politik.
Në fund, Muharremi i drejtohet drejtpërdrejt Glauk Konjufcës duke thënë se me njerëz të tillë rreth vetes, ai dhe LVV nuk kanë më shanse politike. Sipas tij, partia duhet të shkojë në opozitë për t’u “shëruar nga urrejtja dhe stupiditeti politik” duke theksuar se kjo qasje nuk i shërben as partisë, as vetë Konjufcës dhe as vendit. /Kosova.info/
