Çitaku i reagon Muratit: Kontributi juaj ka qenë vetëm gazi lotsjellës
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj ministrit në detyrë të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke e kritikuar për menaxhimin ekonomik dhe rolin në proceset politike të viteve të fundit.
Në reagimin e saj, Çitaku e akuzon ministrin Murati se, sipas saj, nuk ka pasur kontribut në procesin e liberalizimit të vizave, përveç, siç deklaroi ajo, përdorimit të gazit lotsjellës në të kaluarën dhe vonesave që pasuan.
“Hekuran, kontributi juaj i vetëm në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës dhe vonesat disavjeçare. Asnjë kontribut tjetër nuk keni. Asnjë. Qesharak jeni bërë. Veç kur të na tregoni një ditë se ju e keni shpallur edhe Pavarësinë e Shqipërisë, edhe e keni çliruar Kosovën. Mos u merr me gjëra koti. Dil pak dhe shko vetëm në një barnatore, e ke me i pa qytetarët tanë duke mos pasur para as barnat me i pagua. Dil dhe takoje ndonjë pensioner, e të tregon se si po duhet me kursy nga buka e gojës për t’i paguar faturat e energjisë elektrike. Kryeje ndonjë punë tënden, e pastaj krekosu”, ka shkruar Çitaku.
Hekuran Murati në një postim në Facebook ka shkurar “A i keni ni këta të opozitës kur po thonë “na ka izolu Qeveria Kurti”?
Sipas tij, “përpara kur kanë qeverisë ata tjerët dhe kur “nuk kemi qenë të izoluar” duhej me apliku për vizë 6 muaj ma herët, me ba ni krah dokumente gati, dhe me i shpenzu nja 200-300 euro veç për me shku 1 javë në vizitë te naj familjar në diasporë”.
Kurse tash sipas Muratit, “të izoluar me Qeverinë Kurti” paradite e blen biletën, dhe masdite i hyp aeroplanit, edhe ka gjasë që bileta kushton ma lirë sesa që kanë kushtu veç dokumentet për aplikim për vizë. /Kosova.info/
