“Superheronjtë në Pediatri 2025” – Njësia Speciale e Policisë së Kosovës sjell buzëqeshje te fëmijët e spitalit
Atmosferë e veçantë dhe plot emocione është krijuar sot në Klinikën e Pediatrisë në QKUK, ku u mbajt ngjarja filantropike “Superheronjtë në Pediatri 2025”. Pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës u shndërruan në “superheronj” të vërtetë për pacientët e vegjël, duke kryer zbritje spektakulare me litar nga fasada e ndërtesës së pediatrisë.
Ky aktivitet, i cili synonte të sillte gëzim, kurajë dhe energji pozitive te fëmijët që po trajtohen në këtë klinikë, u ndoq nga qindra qytetarë, institucione vendore, si dhe media kombëtare e ndërkombëtare. Fëmijët, prindërit dhe stafi mjekësor pritën me entuziazëm zyrtarët policorë që zbritën drejt dritareve si personazhe inspiruese të botës së fëmijëve.
Organizatorët vlerësuan pjesëmarrjen e Policisë së Kosovës, duke falënderuar zyrtarët për gatishmërinë dhe profesionalizmin e tyre. Sipas tyre, prania e Policisë së Kosovës e ngriti nivelin emocional dhe simbolik të ngjarjes, duke përforcuar mesazhin e humanizmit dhe solidaritetit.
Policia e Kosovës, përmes këtij aktiviteti, konfirmoi edhe një herë angazhimin e saj të pandalshëm për komunitetin, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në iniciativat humane që ndikojnë pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve më të vegjël.
Ngjarja e sotme do të mbetet një nga momentet më të bukura të festave të fundvitit, duke dëshmuar se heronjtë e vërtetë nuk gjenden vetëm në filma – shumë prej tyre janë në mesin tonë, çdo ditë. /Kosova.info/
