Nëntoger Lirijona Bajraktari shpallet më e suksesshmja në trajnim ndërkombëtar ushtarak në Abu Dhabi
Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka ndarë nga Abu Dhabi një lajm të gëzueshëm për gjithë vendin. Ushtarja e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Nëntoger Lirijona Bajraktari, ka zënë vendin e parë në një trajnim ndërkombëtar ushtarak, ku morën pjesë përfaqësues nga 19 vende të botës.
Trajnimi, i cili zgjati 45 ditë dhe u zhvillua në Abu Dhabi, testoi disiplinën, aftësitë dhe përgatitjen profesionale të pjesëmarrësve nga ushtri të ndryshme. Bajraktari u vlerësua si pjesëmarrësja më e suksesshme në disiplinën ushtarake duke ngritur lart emrin e Kosovës në një skenë prestigjioze ndërkombëtare.
Ambasadori Hamiti u shpreh se ishte kënaqësi e madhe të dëgjohej emri i Kosovës para një audience të gjerë, ku ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe, diplomatë si dhe qindra oficerë ushtarakë. Ai theksoi se arritje të tilla dëshmojnë profesionalizmin dhe përkushtimin e bijave e bijve tanë kudo në botë.
“Suksese të tilla na bëjnë krenarë dhe e prezantojnë Kosovën me dinjitet,” u shpreh ambasadori duke i uruar Bajraktarit dhe të gjithë pjesëtarëve të FSK-së suksese të mëtejshme në shërbim të vendit.
Kjo arritje e re vjen si dëshmi e standardeve të larta dhe profesionalizmit që po shfaqin ushtarët kosovarë në arenën ndërkombëtare duke forcuar edhe më tej imazhin e Kosovës në botë./Kosova.info/
