Kabashi godet VV-në: Sami Kurteshi kërcënim për demokracinë dhe lirinë e medias
Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Festim Kabashi, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve të fundit që përfshijnë Sami Kurteshin duke deklaruar se në një shtet funksional lajmi i ditës do të duhej të ishte largimi i tij nga detyra, e jo mbrojtja e tij nga Vetëvendosje.
Kabashi e ka quajtur Kurteshin “recidivist” dhe “urryes të medias” duke theksuar se mbështetja që po i jepet nga partia në pushtet është dëshmi e një përpjekjeje për ta shndërruar VV-në në “parti shtet”.
Sipas tij, sjellja dhe fjalori i Kurteshit po sinjalizojnë rrezikun që po i kanoset demokracisë dhe lirisë në vend, sidomos në një kohë kur, siç thotë ai, “VV e ka bllokuar shtetin prej një viti pa asnjë mekanizëm mbikëqyrës”.
Kabashi paralajmëron se “pengmarrja e shtetit duhet të përfundojë” duke theksuar se mediat e lira dhe liria e shprehjes janë themeli i demokracisë, të cilat, sipas tij, po sulmohen nga ideologji që i afrohen modele qeverisëse autoritare.
Ai shton se çdo tentativë për t’i frikësuar gazetarët apo për të ndezur gjuhën e urrejtjes nga zyrtarët publikë duhet të marrë përgjigje institucionale, e jo mbështetje politike. /Kosova.info/
