Kabashi godet VV-në: LDK-në s’e rrënon askush, diaspora nuk lejon manipulime
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Festim Kabashi, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Lëvizjes Vetëvendosje duke i cilësuar përpjekjet e partisë në pushtet si tentativë për mashtrim, manipulim dhe polarizim të shoqërisë.
Kabashi tha se narrativa e VV-së se LDK-ja qenka kundër diasporës është absurde dhe e pavërtetë duke kujtuar se “çdo i treti votues nga diaspora në zgjedhjet e 12 tetorit e ka votuar LDK-në”. Sipas tij, pikërisht ky fakt e shqetëson Vetëvendosjen, njëjtë siç e shqetëson edhe shtrirja dhe strukturat që LDK i mban prej vitesh në qytete, fshatra e mërgatë.
Ai u shpreh se VV-së “i dhemb” që nuk po mund ta shtyjë përpara “planin për manipulimin e votës” duke theksuar se diaspora nuk lejon rrënim të integritetit të votës së saj. Kabashi theksoi se votimi jashtë vendit është i rregulluar me ligj dhe zhvillohet në përfaqësi diplomatike, ndërsa qendrat shtesë të votimit mund të hapen vetëm me leje të posaçme nga shtetet pritëse dhe me organizim serioz institucional.
“Disa kapadai nga Prishtina janë duke marrë vendime ad hoc, pa njohur fare rregullat e procesit,” deklaroi ai duke shtuar se gjithë kjo është thjesht për konsum publik dhe për të shpikur një temë të pavërtetë.
Në fund, Kabashi u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të bashkohen për “ndryshimin e vërtetë në Kosovë” duke theksuar se rezultati “aksidental” i vitit 2021 nuk do të përsëritet më.
Në vazhdim të fushatës zgjedhore, ai tha se LDK mbetet alternativa më e përgjegjshme dhe me mbështetjen më të madhe të diasporës. /Kosova.info/
