Lumir Abdixhiku: Gjeneral Gëzim Hazrolli i bashkohet LDK-së

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar bashkimin e Gjeneral Major Gëzim Hazrollit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e quajtur një nga figurat më të rëndësishme të mbrojtjes së vendit, raporton Kosova.info.

Hazrolli vjen në politikë pas më shumë se tridhjetë vitesh shërbim në uniformë. Ai ka qenë Komandant i Brigadës 123 të UÇK-së gjatë luftës dhe një nga figurat që udhëhoqën krijimin dhe transformimin e Trupave të Mbrojtjes në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në pozitat drejtuese në FSK dhe Ministrinë e Mbrojtjes ka qenë pjesë e çdo procesi modernizimi dhe ngritjeje të kapaciteteve ushtarake.

Ai ka studiuar në disa prej institucioneve më prestigjioze të sigurisë, përfshirë Royal College of Defence Studies në Londër dhe Marshall Center në Gjermani. Për shërbimin e tij është dekoruar me disa nga medaljet më të larta shtetërore.

Abdixhiku thotë se ardhja e Hazrollit në LDK është sinjal se njerëzit e shtetit po kthehen në politikë dhe se Kosova ka nevojë për stabilitet, profesionalizëm dhe orientim të qartë euroatlantik. Sipas tij, LDK-ja po forcohet me figura që sjellin disiplinë, integritet dhe përvojë të gjatë në shërbim të Republikës./Kosova.info/

Go to TOP