Kurti në Këshillin e Internacionales Socialiste në Maltë: Kosovë e angazhuar në agjendën progresiste globale
Lideri i VV-së, Albin Kurti, mori pjesë në punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste, të mbajtur në Maltë. Takimet nisën me sesionin e Presidiumit, ku Kurti, së bashku me kryeministra dhe udhëheqës të tjerë të partive socialdemokrate, socialiste e laburiste nga mbarë bota, diskutuan rreth sfidave globale që prekin paqen, demokracinë, drejtësinë sociale dhe ndryshimet klimatike.
Përveç pjesëmarrjes në Presidium, Kryeministri Kurti mbajti një fjalim para delegacioneve pjesëmarrëse, ku theksoi rëndësinë e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Ai nënvizoi se masat e ndërmarra gjatë mandatit të tij kundër korrupsionit kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen ekonomike të vendit, ndërsa politikat sociale të rishpërndarjes kanë krijuar një zhvillim më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Në këtë forum ndërkombëtar morën pjesë edhe figura të rëndësishme politike, përfshirë Kryeministrin e Maltës, Robert Abela, nikoqir i samitit, si dhe Kryeministrin e Spanjës dhe njëherësh Kryetar të Internacionales Socialiste, Pedro Sánchez. Bashkë me liderët progresistë, ata diskutuan rreth dinamikave aktuale globale, veçanërisht atyre në rajonin e Mesdheut, si dhe rolin që duhet të luajë Internacionalja Socialiste në këtë kontekst të ndërlikuar ndërkombëtar.
Pjesëmarrja e Kurtit në këtë Këshill ndërkombëtar riafirmon angazhimin e Republikës së Kosovës në organizatat progresiste globale dhe konfirmon rolin aktiv të vendit në promovimin e paqes, dialogut, lirisë, demokracisë, solidaritetit dhe drejtësisë sociale në arenën ndërkombëtare. /Kosova.info/
