Vasfije Krasniqi Goodman jep mesazhin: Mos më kujtoni me zakone, por me zemër
Aktivistja e njohur për të drejtat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, Vasfije Krasniqi Goodman, ka publikuar një mesazh të ndjerë, ku tregon qartë dëshirën e saj për mënyrën se si dëshiron të kujtohet një ditë, kur të mos jetë më. Me fjalë të drejtpërdrejta dhe të sinqerta, ajo theksoi se nuk dëshiron ceremoni tradicionale apo rituale shoqërore që bëhen nga detyrimi.
“Nuk dua varrim tradicional. Nuk dua të pame. Nuk dua vizita, ngushëllime, radhë njerëzish as ceremoni që bëhen nga zakoni e jo nga zemra,” shkruan Krasniqi Goodman duke shtuar se ajo dëshiron kremacion dhe një memorial të vogël me më pak se 10 persona – vetëm ata që kanë qenë vërtet pranë saj gjatë jetës.
Ajo theksoi se nuk dëshiron shfaqje në rrjete sociale, statusë dramatike, intervista familjarësh apo vëmendje mediatike mbi emrin e saj. “Nëse s’ke qenë pjesë e jetës sime, s’ke nevojë të jesh as pjesë e kujtimit tim,” përfundon ajo. /Kosova.info/
