Abdixhiku me asamblistët e mërgatës: Moment historik për LDK-në, çdo votë vendos të ardhmen
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sot një takim me asamblistët më të votuar nga mërgata – ata që, së bashku me kandidatët e tjerë, e pozicionuan LDK-në si subjektin e parë nga vota e bashkatdhetarëve jashtë vendit. Abdixhiku e cilësoi këtë një moment historik për partinë duke theksuar se mesazhi i mërgatës është i qartë dhe i fuqishëm.
“Ky është një moment historik për LDK-në dhe një mesazh i qartë nga mërgata jonë,” u shpreh ai duke falënderuar qytetarët jashtë vendit për besimin e dhënë.
Nga takimi, Abdixhiku përsëriti thirrjen për regjistrim të votuesve në diasporë duke kujtuar se kanë mbetur edhe nëntë ditë deri në përfundimin e afatit. “Çdo ditë vlen e çdo votë përcakton të ardhmen e atdheut tonë,” tha ai.
Kryetari i LDK-së gjithashtu njoftoi se bashkatdhetarët që planifikojnë të vinë në Kosovë për fundvit nuk kanë nevojë të regjistrohen paraprakisht. “Ju presim këtu, në votë dhe në festë!” përfundoi Abdixhiku duke dërguar një mesazh mobilizues për diasporën në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit. /Kosova.info/
