LDK zyrtarizon anëtarin e ri: Gëzim Kasapolli i bashkohet partisë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka shtuar sot në radhët e saj Gëzim Kasapollin, një emër i njohur në diplomaci, integrim evropian dhe analizë politike. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili e përshëndeti ardhjen e tij me një mesazh të qartë mirëseardhjeje.
Kasapolli vjen me më shumë se njëzet vite përvojë në institucione vendore dhe ndërkombëtare. Ai ka shërbyer si Ambasador i Kosovës në Kroaci, ku ka punuar në forcimin e raporteve bilaterale dhe avancimin e interesave të vendit në një kryeqytet të rëndësishëm të BE-së.
Në të kaluarën ka mbajtur pozita të larta në proceset e integrimit evropian. Fillimisht si zëvendësministër dhe më pas si ministër në detyrë i Integrimit Evropian. Ka qenë një nga figurat kyçe në nisjen dhe negociimin e Marrëveshjes së Stabilizim–Asociimit, dokumenti më i rëndësishëm kontraktual mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Përvoja e tij përfshin edhe punën si këshilltar politik në Kuvendin e Kosovës dhe rolet e hershme në Qeveri, ku ka mbajtur lidhje të drejtpërdrejta me vendet anëtare të BE-së, Parlamentin Evropian dhe diplomacinë ndërkombëtare gjatë fazave kyçe të shtetndërtimit.
Me hyrjen e Gëzim Kasapollit në LDK, partia thotë se po fiton një profesionist me dije të thellë dhe angazhim serioz për shtetin. Abdixhiku thekson se ardhja e tij, bashkë me të tjerët që pritet t’i bashkohen, është një sinjal se njerëzit që kërkojnë ndryshim dhe seriozitet politik po e shohin LDK-në si adresë të besueshme.
“Dyert tona janë të hapura”, ka shkruar Abdixhiku, duke i uruar Kasapollit shëndet dhe sukses në këtë fazë të re të angazhimit të tij./Kosova.info/
