IFJ thirrje Qeverisë së Kosovës: Lironi fondet e parapara për RTK-në
Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka reaguar ndaj situatës së krijuar në Radiotelevizionin e Kosovës, ku rreth 700 punonjës kanë mbetur pa paga për dy muaj rresht. Sekretari i Përgjithshëm i IFJ-së, Anthony Bellanger, ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“700 punonjës të RTK-së kanë kaluar dy muaj pa paga. Kjo është e papranueshme. Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe qeveria duhet të veprojnë urgjentisht për të siguruar që RTK të marrë buxhetin e saj. Ne qëndrojmë fort me kolegët tanë të RTK-së, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK, dhe grevën e tyre të drejtë”, ka deklaruar Bellanger.
IFJ i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të lirojë fondet e parapara për transmetuesin publik, në mënyrë që punonjësve t’u mundësohet marrja e pagave dhe RTK të vazhdojë funksionimin normal.
Reagimi vjen në kohën kur Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ndodhet në grevë të vazhdueshme, duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme nga institucionet. /Kosova.info/
#Kosovo🇽🇰: "700 RTK employees have gone two months without pay. This is unacceptable. Acting PM @albinkurti and the government must urgently act to ensure #RTK receives its budget. We stand firmly with our RTK colleagues and their just strike," says IFJ GS @abellanger49. pic.twitter.com/yWXeQicFuX
— IFJ (@IFJGlobal) November 26, 2025
