Kaos në Prishtinë: Tri ditë pa transport publik, RTK pa paga – KMDLNj akuzon Qeverinë për shkelje të të drejtave të njeriut
Prishtina po hyn në ditën e tretë pa shërbime të transportit publik dhe atij privat, si pasojë e grevës së paralajmëruar më herët nga operatorët. Greva ka ardhur pasi, sipas kryetarit të Prishtinës, Ministria e Financave ka bllokuar mbi 35 milionë euro të Komunës së Prishtinës duke e pamundësuar shlyerjen e detyrimeve ndaj transportuesve publikë dhe operatorëve privatë.
Pavarësisht paralizimit të kryeqytetit, Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Ministri i Financave Hekuran Murati, sipas transportuesve, kanë refuzuar të takohen me përfaqësuesit e grevistëve për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me pasojat e një bllokade që po zgjat me ditë.
Paralizimi i trafikut urban dhe ndërurban ka krijuar probleme të mëdha për të moshuarit që nuk kanë mundur të marrin trajtim mjekësor, për nxënësit e studentët që kanë humbur orë mësimore, si dhe për punëtorët e sektorit publik dhe privat që janë vonuar ose s’kanë mundur fare të paraqiten në punë. Përplasjet e vazhdueshme, të cilësuara si një “lojë ping-pongu” mes Ministrisë së Financave dhe Komunës së Prishtinës, kanë sjellë pasiguri dhe paqartësi për fundin e grevës.
Në të njëjtën kohë, rreth 700 të punësuar të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë mbetur pa paga prej afërsisht tre muajsh duke rrezikuar funksionimin e transmetuesit publik dhe ekzistencën ekonomike të 700 familjeve. Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Qeveria Kurti e ka “kapur brutalisht” RTK-në përmes emërimeve partiake dhe tani po e shantazhon përmes mungesës së pagave.
KMDLNj ka dalë në mbështetje të plotë të protestës së transportuesve publik dhe grevës së punonjësve të RTK-së duke e konsideruar situatën si shkelje të drejtpërdrejtë të të drejtave të njeriut – përfshirë të drejtën për kompensim për punën e kryer. Sipas KMDLNj-së, protesta dhe greva janë masa të fundit të punonjësve për të mbrojtur të drejtat e tyre të cenuara nga institucionet.
KMDLNj ka kritikuar Ministrinë e Financave dhe Qeverinë në detyrë duke theksuar se të njëjtat institucione që po vonojnë fondet për Prishtinën dhe pagat e RTK-së, po gjejnë mjete për rritjen e pensionit minimal nga 120 në 150 euro dhe për rritjen e shtesave për fëmijë me 50%, veprime që KMDLNj i konsideron si “blerje votash” dhe në kundërshtim me Ligjin për Financa Publike. Organizata ka shtuar se pensionistët kontribut dhënës po diskriminohen duke u lënë jashtë çdo rritjeje duke e cilësuar këtë si trajtim çnjerëzor dhe racist.
KMDLNj paralajmëron se situata e krijuar po i privon qytetarët nga një sërë të drejtash themelore: liria e lëvizjes, e drejta për shkollim, për punë, për qasje në shërbime shëndetësore dhe për informim të drejtë e të pavarur nga RTK.
Në fund, KMDLNj u ka bërë thirrje Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë së Shtetit të hetojnë rastet që lidhen me paralizimin e trafikut dhe me bllokimin e pagave në RTK duke theksuar se qytetarët po përballen me shkelje serioze të të drejtave të njeriut që garantohet me kushtetutë, ligje të Kosovës dhe dokumente ndërkombëtare. /Kosova.info/
