PDK: Data e zgjedhjeve duhet të garantojë transparencë, jo vështirësi dhe dyshime në proces
Partia Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se caktimi i datës së zgjedhjeve duhet të bëhet duke garantuar integritetin, transparencën dhe besueshmërinë e plotë të procesit zgjedhor.
PDK, përmes një komunikate për media, ka konsideruar se propozimi që zgjedhjet të mbahen në të dielën e fundit të vitit, siç u kërkua në takimin me presidenten e vendit nga partitë që nuk arritën t’i krijojnë institucionet e reja, paraqet sfida serioze që rrezikojnë organizimin efikas të zgjedhjeve dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.
Së pari, sipas PDK-së, mbajtja e zgjedhjeve vetëm pak ditë para ndërrimit të motmoteve krijon vështirësi të mëdha për organizimin e tyre nga KQZ-ja, veçanërisht në fazën e numërimit dhe verifikimit të rezultateve. Këto procese i bie të zhvillohen në ditë festive e zyrtarisht ditë pushimi, duke rrezikuar kështu efikasitetin e punës dhe cenuar besimin e qytetarëve.
Së dyti, PDK thotë se fundviti karakterizohet nga angazhimi i reduktuar i misioneve ndërkombëtare dhe mungesa e vëzhguesve që tradicionalisht garantojnë transparencë dhe legjitimitet në procesin zgjedhor. Kjo krijon një hendek serioz në monitorimin e zgjedhjeve.
Së treti, thotë ky subjekt politik se zgjedhjet në fundvit rrezikojnë të rezultojnë me pjesëmarrje të ulët, pasi që shumë qytetarë janë të angazhuar me udhëtime dhe aktivitete familjare në prag të festave.
“PDK kërkon që vendosja e datës së zgjedhjeve të udhëhiqet nga parimet e neutralitetit institucional, transparencës dhe garantimit të një procesi të drejtë e gjithëpërfshirës. Vetëm përmes një qasjeje të tillë sigurohet mbajtja e zgjedhjeve pa pengesa dhe me besim të plotë nga qytetarët dhe të gjitha subjektet politike”, thuhet në komunikatë.
