Foda për ndeshjen me Slloveninë: Detajet e vogla janë vendimtare

Trajneri i Kosovës, Franco Foda, ka theksuar se ndeshja me Slloveninë do të vendoset nga detaje të vogla.

Së bashku me futbollistin Vedat Muriqi, ai ka folur një ditë para ndeshjes.

Kosova do të luajë ndaj Sllovenisë më 15 nëntor në Lubjanë dhe ndaj Zvicrës më 18 nëntor në Prishtinë. Aktualisht, Zvicra kryeson grupin me dhjetë pikë, pasuar nga Kosova me shtatë, Sllovenia me tri dhe Suedia me një pikë. 

“Në ndeshjen e parë të dyja skuadrat luajtën mirë dhe me kujdes. Detajet do ta vendosin ndeshjen e dytë. Ekipi që do të japë më shumë në fushë, do të fitojë”, ka thënë ai.

Ai e ka vlerësuar skuadrën kundërshtare, duke theksuar se Sllovenia, përveç yllit të saj Sesko, ka edhe lojtarë tjerë cilësorë dhe luan mirë si ekip. “E kemi analizuar ndeshjen tonë dhe takimet e tjera të Sllovenisë. Jemi të vetëdijshëm për cilësitë e tyre. Nesër synimi ynë është fitorja”, ka thënë ai, duke shtuar se të gjithë lojtarët e mbrojtjes janë gati dhe në formë të mirë.

Foda ka folur edhe për gjendjen e Amir Rahmanit, i cili së fundi ka luajtur tri ndeshje të plota me Napolin. “Është pak i ngarkuar, por prania e tij në mbrojtje jep siguri. Presim që të jetë i rëndësishëm edhe nesër”, është shprehur trajneri.

Nga ana tjetër, Vedat Muriqi, është shprehur optimist për paraqitjen e “Dardanëve”.

“Me mbrojtje të fortë dhe kundërsulme shpresojmë të ndëshkojmë Slloveninë dhe të afrohemi drejt Kupës së Botës”, ka thënë sulmuesi.

Ai ka theksuar se është plotësisht i gatshëm për ndeshjen. “Jam sulmues dhe normalisht shpresoj të shënoj, ashtu siç shpreson gjithë shqiptaria. Por më e rëndësishme se goli është fitorja e ekipit. Nëse shënoj golin vendimtar, s’besoj që do të ketë njeri më të lumtur se unë”, ka shtuar Muriqi.

Sa i përket situatës në grup, ai është shprehur se tabela flet vetë. “Jemi katër pikë para Sllovenisë. Ata kanë vetëbesim, por edhe ne jemi ambicioz. Qëllimi ynë është ta sigurojmë plejofin dhe pastaj të shohim më tej”, ka thënë Muriqi. 


Go to TOP