102 lojtarë, përfshirë dy nga Galatasaray, përjashtohen për baste
Federata e Futbollit të Turqisë ka suspenduar 102 lojtarë nga dy ligat kryesore të vendit për shkak të dyshimeve për bastvënie në ndeshje futbolli, ndër ta edhe dy futbollistë të klubit të njohur Galatasaray: Eren Elmali dhe Metehan Baltaci.
Futbolli turk po përballet me një krizë të madhe pas zbulimeve për përfshirje të lojtarëve dhe zyrtarëve në bastet sportive.
Elmali është ndëshkuar me dyzet e pesë ditë pezullim, ndërsa Baltaci me nëntë muaj. Në total, njëzet e pesë prej lojtarëve të pezulluar janë nga Superliga turke dhe shtatëdhjetë e shtatë nga liga e dytë, me dënime që variojnë nga dyzet e pesë ditë deri në dymbëdhjetë muaj.
Skandali është thelluar pas një hetimi të gjerë që e ka tronditur futbollin turk. Vetëm disa javë më parë, Federata turke kishte suspenduar 149 gjyqtarë dhe asistentë pas zbulimeve se shumë prej tyre kishin vendosur baste në ndeshjet e kampionateve ku ndanin drejtësinë në fushë.
Hetimet kishin çuar në arrestimin e tetë personave, përfshirë edhe kryetarin e një klubi të Superligës, ndërsa më shumë se 1000 lojtarë nga të gjitha ligat janë suspenduar përkohësisht deri në përfundim të hetimeve.
Presidenti i TFF-së, Ibrahim Haciosmanoglu, e ka përshkruar këtë situatë si “një krizë morale në futbollin turk”. Sipas hetimeve, 371 nga 571 gjyqtarë aktivë në ligat profesioniste kanë pasur llogari bastesh, ndërsa 152 prej tyre kanë qenë bastvënës aktivë. Njëri nga gjyqtarët kishte vendosur baste plot 18 mijë e 227 herë, ndërsa 42 të tjerë secili mbi 1000 herë.
