Salihaj: Pas dorëheqjes së Memli Krasniqit, është koha që të reflektojë edhe Lumir Abdixhiku
Ish-kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj, Adem Salihaj, ka reaguar pas dorëheqjes së Memli Krasniqit nga drejtimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) duke thënë se tani është koha që të reflektojë edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Sipas Salihajt, dorëheqja e Krasniqit ishte “befasi për të mirë”, pasi, siç tha ai, tregon se PDK ka arritur një standard politik që deri më tani nuk e kishte. “Tash është radha e Lumir Abdixhikut, sepse, njësoj si PDK, edhe LDK humbi dy komuna, madje njëra ka qenë bastion që nuk i ka humbur asnjëherë zgjedhjet,” u shpreh ai.
Salihaj vlerësoi se pretendimi që LDK të dalë partia e parë në vend është “jo vetëm megaloman, por edhe absurd” duke theksuar se një gjë e tillë nuk shihet askund në horizont dhe përbën përpjekje për të krijuar iluzione politike.
“Humbja e dy komunave nuk mund të mbulohet me faktin se nuk u humb Prishtina, sepse kjo do të ishte injorim i realitetit dhe përpjekje për ta mashtruar elektoratin e LDK-së,” shtoi ai.
Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron vetëm te rezultatet lokale, por te trendi i përgjithshëm i rënies që po përjetojnë si LDK-ja ashtu edhe PDK-ja. Në të kundërt, Salihaj theksoi se Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar ngritje të qartë duke fituar tri komuna të reja në zgjedhjet e fundit.
“Ky trend jo vetëm që kërkon dorëheqje të kryetarëve të të dy partive që humbën komuna, por edhe një rishikim të thellë të strategjive të tyre. Me strategjinë e deritashme, këto dy parti nuk mund të dalin fituese edhe për një kohë të gjatë,” deklaroi Salihaj duke shtuar se “momenti është për reflektim të sinqertë e reformë të thellë në lidershipin politik”. /Kosova.info/
