Ahmeti: Zgjedhjet në Mitrovicë me “fusnotë” – një hap prapa për besimin në demokraci

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pas dyshimeve të ngritura për parregullsi në zgjedhjet lokale në Mitrovicë duke theksuar se për herë të parë pas më shumë se një dekade, procesi zgjedhor në Kosovë po përballet me “njollë” në besueshmërinë e tij.

Ahmeti kujtoi se gjatë dhjetë viteve të fundit, një nga konstantet më të rëndësishme të zgjedhjeve në Kosovë ka qenë besimi në procesin zgjedhor, për të cilin vendi është përgëzuar si nga miqtë ashtu edhe nga kundërshtarët në rajon e botë.

“Më e rëndësishmja ka qenë besimi i secilit qytetar që vota nuk shtrembërohet,” ka shkruar Ahmeti.

Ai theksoi se, pavarësisht hetimeve apo sqarimeve që mund të ndodhin, fakti që zgjedhjet lokale të vitit 2025 – veçanërisht ato në Mitrovicë – tashmë kanë një “fusnotë”, përbën një hap prapa për demokracinë në vend.

“E vërteta mund të jetë prej gabimit teknik e deri te ndërhyrjet. Por rëndësia e hetimit të plotë e të pavarur nuk është vetëm për zbardhjen e rastit në Mitrovicë, por edhe për mbylljen e dyshimeve në të ardhmen nga qytetarët e këtij vendi,” ka shtuar ai.

Në fund, Ahmeti theksoi se demokracia duhet jo vetëm të duhet, por edhe të ruhet e mbrohet duke apeluar për transparencë dhe përgjegjësi të plotë institucionale në proceset zgjedhore. /Kosova.info/

Go to TOP