Krasniqi: PDK do të mbrojë çdo votë, shqetësimet në Mitrovicë janë serioze
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar se partia ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve pas shqetësimeve të ngritura nga komisionerët në Mitrovicë për integritetin e procesit zgjedhor, raporton Kosova.info.
Sipas Krasniqit, shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe po adresohen në të gjitha instancat dhe adresat përkatëse. Ai konfirmoi se sot, brenda afatit ligjor, PDK do të dorëzojë ankesën zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve. Çdo votë është zëri i qytetarit dhe themeli i demokracisë sonë. Prandaj, kur ekzistojnë dyshime apo paqartësi, ato duhet të shqyrtohen me kujdes dhe plotësisht nga institucionet përkatëse”, ka deklaruar Krasniqi.
Kryetari i PDK-së njoftoi se në orën 12:00, në selinë e partisë, do të mbahet një konferencë për media ku do të bëhen të ditura detajet dhe veprimet e mëtejshme të subjektit lidhur me këtë çështje.
Ai shtoi se PDK kërkon që çdo procedurë të trajtohet me transparencë dhe drejtësi, në përputhje me ligjin, “në mënyrë që besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor të mbetet i plotë”.
“Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur ta mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e vërtetë të votuesve me përgjegjësi, qetësi dhe bindjen e plotë se e vërteta do të dalë në dritë”, përfundoi Krasniqi./Kosova.info/
