Dy raste të dyshuara për vepra penale gjatë procesit zgjedhor, Prokuroria: Pjesa tjetër e ditës kaloi qetë

Rreth 80 prokurorë dhe pjesëtarë të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës kanë qenë të angazhuar gjatë gjithë ditës së sotme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, gjatë ditës janë pranuar disa informata lidhur me zhvillimin e procesit, por pas verifikimit të tyre është konstatuar se vetëm dy raste përmbajnë elemente të veprave penale kundër të drejtave të votimit.

Rasti i parë është regjistruar në komunën e Fushë Kosovës, ku dy persona janë arrestuar nën dyshimin për “Dhënie ose marrje të ryshfetit në lidhje me votimin”, sipas nenit 212 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Të dy të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit të shtetit për 48 orë.

Ndërkaq, rasti i dytë është regjistruar në komunën e Klinës, ku një person është ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”, nga neni 215 i Kodit Penal të Kosovës.

Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se prokurorët do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë procesit të numërimit të votave në vendvotime dhe gjatë transportimit të tyre në qendrat komunale të numërimit, për të garantuar një proces të rregullt dhe ligjor.

Në fund, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka falënderuar qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar në parandalimin dhe ndjekjen e veprave penale të lidhura me zgjedhjet duke theksuar se ky bashkëpunim është thelbësor për mbarëvajtjen e proceseve demokratike në vend. /Kosova.info/

Go to TOP