Abdixhiku: Kjo është LDK që kam ëndërruar gjithmonë – një familje e madhe që beson në dritë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përmbyllur fushatën zgjedhore me një mesazh falënderues plot emocion e mirënjohje për të gjithë aktivistët, kandidatët dhe qytetarët që u bënë pjesë e rrugëtimit politik të kësaj partie gjatë javëve të fundit.

Në një postim në rrjete sociale, Abdixhiku falënderoi secilin anëtar e aktivist të LDK-së për përkushtimin dhe sakrificën gjatë fushatës duke i quajtur ata “shtylla e rrugëtimeve tona”.

“Tani që po përmbyllim një fushatë të jashtëzakonshme, këtë rrugëtim shprese, besimi e përkushtimi, dua të falënderoj nga thellësia e zemrës, secilin aktivist të LDK-së që për javë të tëra la familjen, miqtë e përditshmërinë për t’u bërë pjesë e një ëndrre të madhe,” ka shkruar Abdixhiku.

Ai falënderoi në veçanti kandidatët e LDK-së për guximin dhe përkushtimin e tyre ndaj vendit:

“Ju jeni fytyra e vërtetë e LDK-së, shembulli më i mirë i politikës që shërben. Përparim, Gaz, Sokol, Xhafë, Arbër, Besnik, Ardian, Ruzhdi, Bexhet – dalshi faqebardhë nesër.”

Në mesazhin e tij, Abdixhiku shprehu mirënjohje edhe për qytetarët që pritën e dëgjuan me respekt kandidatët e LDK-së gjatë fushatës duke theksuar se kjo ishte dëshmi e dashurisë së njerëzve për vendin dhe Republikën.

“Fushata mund të mbyllet sot, por rrugëtimi ynë vazhdon. Sepse ajo çfarë kemi mes vete nuk është vetëm çështje elektorale; është një mision shumë më i madh se secili prej nesh – për një Kosovë të ndërtuar mbi punë, besë e shpresë,” tha ai.

Abdixhiku e përmbylli mesazhin me një zotim të qartë ndaj qytetarëve:

“Kjo është LDK që kam ëndërruar gjithherë; një familje e madhe e njerëzve të mbarë që besojnë në dritë, edhe kur rruga është e gjatë. Dritë do të ketë! Ju zotohem!”. /Kosova.info/


Go to TOP