Një muaj paraburgim për dorasin e vëllezërve në Golluboc të Malishevës
Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit A.I., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer dy vepra penale, atë të vrasjes së rëndë dhe mbajtjes së armës pa leje-autorizim.
Gjyqtari i procedurës paraprake Drilon Haraçia , pas mbajtjes së seancën dëgjimore në ambientet e QKUK-s në Prishtinë (për shkak të gjendjes shëndetësore të të pandehurit), ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin në fjalë, ngase me gjetjen e mundshme të të pandehurit në liri, ekziston mundësia reale që i njëjti të pengojë në rrjedhën e procedurës penale duke u arratisur, ndikuar tek të dëmtuarit, apo duke e përsëritur veprën penale.
I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 7 nëntor 2025 dhe do të zgjasë deri më 6 dhjetor 2025.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Kosova.info/
