Abdixhiku: Nesër, Vitia e konfirmon rrugën e zhvillimit me LDK-në dhe Sokol Halitin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbyllur fushatën zgjedhore në komunën e Vitisë, ku mori pjesë në tubimin përmbyllës me kandidatin për kryetar, Sokol Halitin. Në një atmosferë entuziaste, Abdixhiku vlerësoi përkushtimin dhe besimin e qytetarëve të Vitisë duke e quajtur këtë moment si energjinë e fitores.
“Ditën e fundit të fushatës e nisa në Viti, në tubimin kryesor me kandidatin tonë, Sokol Halitin. Një tubim i jashtëzakonshëm, me njerëz të përkushtuar, të ndershëm dhe plot besim në rrugën tonë të përbashkët. Vitia na dha energjinë e fitores; të një fushate dinjitoze, të drejtë dhe të ndërtuar mbi punë e rezultate,” tha Abdixhiku.
Ai theksoi se Sokol Haliti është garancia e qeverisjes së mirë, stabilitetit dhe zhvillimit duke u shprehur i bindur se qytetarët e Vitisë do ta konfirmojnë këtë rrugë edhe për katër vitet e ardhshme.
Kreu i LDK-së kritikoi ashpër pushtetin aktual duke i quajtur “popullistë” ata që “hapin autostrada një ditë para zgjedhjeve” nga paniku i humbjes. Ai po ashtu reagoi ndaj pjesëmarrjes së përfaqësuesve të koalicionit VLEN në fushatën elektorale në Viti, të cilët, sipas tij, “po përhapin përçarje ndërshqiptare”.
“Në Vitinë tonë, vitiasit e dinë çka ‘vlen e çka s’vlen’. E ardhmja do të vendosë secilin në vendin e vet. LDK nuk harron,” u shpreh Abdixhiku.
Ai e përmbylli fjalimin me thirrjen për fitore më 9 nëntor: “Le të fitojmë nesër në Viti dhe të vazhdojmë rrugën e zhvillimit, bashkë me LDK-në dhe Sokol Halitin.” /Kosova.info/
