Bajqinovci: PDK iu bashkua Ramës për ta penguar ndryshimin në Prishtinë – qytetarët do t’i tregojnë vendin këtij pazari të natës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në prag të balotazhit për kryetar të Prishtinës duke akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) se është rreshtuar përkrah Përparim Ramës me qëllim që të pengojë ndryshimin në kryeqytet.
“Sonte duket se ndodhi ajo që pak a shumë e prisnim: PDK iu bashkua Përparim Ramës në mënyrë që ndryshimi të mos ndodhë e keqqeverisja të vazhdojë”, ka deklaruar Bajqinovci.
Ai kujtoi se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Prishtinë, rreth 70 për qind e qytetarëve kishin votuar për ndryshim dhe vetëm 30 për vazhdim të qeverisjes aktuale.
“Ju folët qartë, por nga ai rezultat morën përqindje edhe disa subjekte që, krahas VV-së, po ashtu kërkonin ndryshim. Prandaj, ky pazar i natës është tentim për ta deformuar vullnetin e qytetarëve të këtij vendi, të cilët për katër vite kanë përjetuar një qeverisje katastrofale”, theksoi ai.
Në fund, Bajqinovci u bëri thirrje prishtinasve që të mobilizohen për raundin e dytë të zgjedhjeve.
“Ju ftoj të gjithëve që të punojmë, të mobilizohemi e të organizohemi për ta çuar në shtëpi këtë nomenklaturë që është sinonim i mashtrimit”, përfundoi deputeti i VV-së. /Kosova.info/
