Përfundon faza e fundit e instalimit të kamerave të sigurisë në Kryeqytet

Në Prishtinë është finalizuar faza e fundit e projektit për rritjen e sigurisë publike dhe menaxhimin e integruar të trafikut urban. Projekti përfshin instalimin e pajisjeve të teknologjisë së avancuar që do të ndihmojnë në monitorimin e lëvizjes dhe parandalimin e incidenteve në zonat me qarkullim të dendur, shkruan Kosova.info.

Në këtë fazë janë instaluar 24 kamera me njohje automatike të targave (ANPR), 6 kamera videovezhguese multisensor dhe 1 kamerë rrotulluese PTZ.

Kamerat janë vendosur në disa pika strategjike të qytetit, përfshirë Veternikun (te “Shelli”, ura dhe magjistralja Prishtinë–Ferizaj), rrugën “B” (rrethin te Maxi dhe te barnatoret), shkollën “Pavarësia”, hyrje-daljen e tunelit nën Kurriz, shkollën Ekonomike dhe urën që lidh Prishtinën me Fushë Kosovën.

Sipas Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, deri më tani janë instaluar gjithsej 165 kamera sigurie në 54 lokacione të ndryshme.

Ky projekt është pjesë e strategjisë për forcimin e sigurisë publike dhe zhvillimin e një qyteti më të sigurt dhe më të mençur./Kosova.info/

Go to TOP