Shehu: 12 vite qeverisje të AAK-së janë definicioni i keqmenaxhimit – më 9 nëntor Juniku do të ndriçohet nga fitorja jonë

Kryetari aktual dhe kandidati për kryetar të Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar ashpër ndaj qeverisjes 12-vjeçare të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në këtë komunë duke e cilësuar periudhën e tyre si shembull të keqmenaxhimit dhe shpërdorimit të buxhetit komunal.

“AAK ka qeverisuar 12 vite me Komunën e Junikut. Afër 12 vite të qeverisjes së tyre, nga viti 2009 deri më 2021, atyre u janë nevojitur për shtratin e lumit Erenik. Rreth 2 milion euro të djersës së junikasve janë investuar në këtë projekt, por gjendja e lumit Erenik sot është e tmerrshme! Pra, një dekadë dhe 2 milion euro ia kanë humbur Junikut, vetëm pse kanë mundur,” deklaroi Shehu.

Ai theksoi se përkundër investimeve të mëdha të premtuara në atë periudhë, rezultatet janë të dështimit dhe keqmenaxhimit të plotë. “Pushteti i 12 viteve në Junik është definicioni i keqmenaxhimit dhe keqpërdorimit të buxhetit. Nuk ka shpjegim tjetër pse lumi Erenik, që ka kushtuar rreth 2 milion euro, nuk ka mbijetuar as 2 vite,” tha ai.

Në të kundërt, Shehu theksoi se gjatë mandatit të tij katërvjeçar, komuna është qeverisur me ndershmëri, profesionalizëm dhe transparencë të plotë.

“Ne e kemi ndërtuar rrugën e Rastavicës, rrugën e bjeshkës, rrugët lokale dhe rrugicat. Kemi ndërtuar çerdhen e parë, shkollën ‘Edmond Hoxha’, kemi siguruar shërbime mjekësore 24/7 në QKMF, kemi vendosur kamera e sinjalizim, kemi shpërndarë bursa dhe subvencione. Në total, kemi realizuar mbi 11 milion euro projekte kapitale,” tha ai duke shtuar se gjatë qeverisjes së tij nuk ka pasur asnjë aferë apo skandal.

Shehu theksoi se projektet e realizuara nga administrata e tij janë të qëndrueshme dhe do t’i mbijetojnë kohës, pasi janë planifikuar dhe ekzekutuar me kujdes e profesionalizëm maksimal.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ai u shpreh i bindur për fitoren në zgjedhjet e 9 nëntorit:

“Prandaj më 9 nëntor në mbrëmje, Juniku do të ndriqohet nga fishekzjarret e festës sonë të fitores. Ndërsa më 10 nëntor do të vazhdojmë me punët që na presin gjatë mandatit të dytë, për të mirën e të gjithë junikasve pa dallim. Transformimi i Junikut nuk mund të ndalet nga servilët apo patericat e tyre,” përfundoi Shehu. /Kosova.info/


Go to TOP